Një vendim i Gjykatës së Apelit në Tiranë duket se ka rikthyer të paktën përkohësisht normalitetin në kantierin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Treshja e gjyqtarëve Arta Duka, Sokol Pina dhe Valbona Vata e kanë prishur vendimin e 17 tetorit të shkallës së parë e cila kishte pezulluar marrjen e çdo vendimi te “Vlora International Airport – VIA” për shkak të pezullimit të votës për kompaninë e Behgjet Pacollit “Mabco Constructions SA”, aksioneri më i madh i aeroportit.

Megjithatë Apeli i Tiranës ka vendosur një lloj tjetër sigurim padie, duke pezulluar deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetersimin e 47% të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë ‘2A Group’.

Ademi kishte fillimisht 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Pas tërheqjes së kompanisë turke, “Yda”, ata ia shitën Pacollit aksionet e tyre për 4200 euro. Ademi pretendoi se mes tij dhe Pacollit kishte një kontratë që atij t’i kalonin 47% e aksioneve. Kjo nisi një konflikt gjyqësor mes dy ortakëve.

Vetë, biznesmeni nga Kosova Behgjet Pacolli, e falënderoi gjykatën e apelit për vendimin e marrë të martën. Pacolli thotë se tashmë “aeroporti i Vlorës i është rikthyer normalitetit institucional dhe rendit ligjor”. Ai thekson se operimi në aeroport do të vijojë tashmë normalisht.

“Po kthehet normaliteti me aeroportin e Vlorës! Akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike është kontributi ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit përmes punës së ndershme, profesionale dhe respektimit të parimeve të drejtësisë. Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj.
Është një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësia në vendin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme. Nga sot, në Vlora International Airport, rikthehen normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi duke i falënderuar drejtësisë!” – shkroi dje Pacolli në facebook.