Gentian Gjyli, i cili është marrë i pandehur nga SPAK për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera” dhe ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie” me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar , GJKKO, është larguar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH.
Në krye të ARRSH-së është emëruar Ami Kozeli, i cili është liruar nga funksioni i zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërkohë, Viola Haxhiademi është emëruar drejtoreshë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare KESH, institucion që më parë drejtohej nga Erald Elezi. Ky i fundit ndodhet gjithashtu në masën e sigurisë “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së, i akuzuar për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”.
Viola Haxhiademi ka shërbyer prej vitesh në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, fillimisht si drejtoreshë e Kabinetit të Ministres dhe, që prej vitit 2019, në detyrën e Sekretares së Përgjithshme të ministrisë.
Pavarësisht lëvizjeve institucionale, si Haxhiademi ashtu edhe Kozeli do të vijojnë të jenë në varësi të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ish-drejtori i KESH, Erald Elezi, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me dy procedura prokurimi me vlerë rreth 210 milionë euro: tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Në kohën e zhvillimit të tenderit për tunelin e Llogarasë, Elezi ka mbajtur funksionin e Drejtorit të Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, ndërsa për tenderin e Unazës së Madhe ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Nga ana tjetër, ish-kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, akuzohet nga SPAK për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërsa masa e sigurisë ndaj tij është caktuar vetëm në lidhje me procedurën e tenderimit për tunelin e Llogarasë.




















