Një nga iluzionet më të qëndrueshme që rrethojnë skandalet politike është ideja se ekspozimi i tyre mbart ende një farë force korrigjuese. Kjo, ndoshta sepse për një kohë shumë të gjatë ka qenë e vërtetë. Në momentin që diçka bëhet e dukshme dhe vendoset para syve të shumë njerëzve, reagimi i natyrshëm ka qenë marrja e përgjegjësisë dhe llogaridhënia. Por, pushteti bashkëkohor ka evoluuar pikërisht që vizibiliteti të mundësojë decentralizimin e fajit dhe shpërndarjen e tij.

Jiang Xueqin, autor dhe intelektual publik kinezo-kanadez, argumenton se pushteti modern nuk varet më nga ekzisentca e një zinxhiri të qartë komandues, apo nga persona ose institucione vendimmarrëse lehtësisht të identifikueshëm. Përkundrazi, ai shprehet se pushteti sot operon përmes rrjeteve të strukturara për të mundësuar mohueshmërinë dhe shmangien e përgjegjësisë… Sisteme, ku influencat qarkullojnë lirshëm, por ku të mbajturit e përgjegjësisë për pasojat nuk bie mbi asnjëherë mbi askënd. Për të qenë të saktë, duhet sqaruar se mohimi në këtë rast nuk nënkupton se personi apo institucioni që e bën atë është duke gënjyer. Në fakt, është krejt e kundërta. Mohimi funksionon më së miri kur secila nga palët e përfshira në një skandal mund të thotë diçka të vërtetë. Dhe frazat që e mundësojnë diçka të tillë, besoj se janë mjaft të njohura për shumicën prej nesh: “E kam takuar vetëm një herë”, “Nuk kemi patur asnjë marrëdhënie zyrtare”, “Takimet tona nuk ka qenë pjesë e rolit tim institucional.” Secila prej tyre mund të jetë e saktë dhe e vërtetë në vetvete, e megjithatë, pasojat politike – vendimet me rëndësi – sërish janë ndikuar dhe formësuar prej skandaleve. Nëse do të perifrazonim professor Jiang-un, politika sot nuk funksionon më si mënyrë qeverisjeje, por si reality show TV.

Krahasimi prej tij i politikës me spektaklet reality shkon përtej retorikës. Siç dihet, reality TV, me gjithë sifdat dhe mosmarrëveshjet që prezanton si pjesë të spektaklit, nuk është ndërtuar për t’i zgjidhur ato dhe as për të arritur përfundime. Funksioni themelor i tij është të mbajë shikuesit sa më gjatë të mbërthyer para ekranit. Kjo është edhe arsyeja përse ka aq shumë nevojë për tension, përshkallëzime emocionale, testim të aleancave dhe besnikërive, por pa i dhënë kurrë një përgjigje në fund gjithë këtyre. Ngjashëm, në sferën politike shpërhejnë kriza dhe skandale, personazhet e këqëinj identifikohen në një kohë të shkurtër, vetëm për t’u zëvendësuar më pas nga të tjerë. Në politikë, ashtu si në një spektakël reality personazhet hyjnë dhe dalin nga kuadri i kameras – herë të poshtëruar e herë të pastruar në sytë e publikut – por ajo që mbetet gjithmonë e pandryshuar, është struktura e spektaklit.

Në fakt, spektakli por edhe pushteti politik bashkëkohor, janë thuajse plotësisht të varur nga ky cikël ekspozimi pa një zgjidhje përfundimtare. Nëse konfliktet do të zgjidheshin në të vërtetë ndonjëherë dhe dikush do të mbahej qartësisht përgjegjës për atë që ka bërë, e gjithë fabula do të zhbëhej. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për politikën sot. Tanimë skandalet nuk përbëjnë më krisje brenda sistemit, që nëse ndreqen gjërat do të jenë më mirë, por janë pjesë thelbësore e ritmit të funksionimit të tij. Skandalet ofrojnë mjaftueshëm dramë dhe zemërim për të lënë të paprekura mekanizmat që fshihen nën sipërfaqe. Sikurse në një sezon Big Brother-i, edhe politika sot na fton ta shohim, të reagojmë dhe… të harrojmë, ndërkohë që rrethanat që e prodhuan krizën apo skandalin mbeten po aty, gati për episodin e radhës.

Sipas Jiang Xueqin, pushtetit sot nuk i intereson më si dikur që të fshehë, por të organizojë bashkëpunimin mes formave të ndryshme të tij. Ndryshe nga dikur, vendimet nuk merren më në një sallë nga një institucion në një moment vendimtar. Përkundrazi, ato lindin gradualisht përmes takimesh informale, prezantimesh, nderesh dhe bisedash private, të cilat në shumicën e rasteve zhvillohen jashtë institucioneve zyrtare, por mjaftueshëm pranë tyre për t’i ndikuar e formësuar ato. Për rrjedhojë, kur momenti i ekspozimit ia beh befas dhunshëm, nuk ka asnjë aktor të vetëm që mund të identifikohet qartësisht si përgjegjës për atë që ka ndodhur. Të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë mund të thonë diçka të vërtetë dhe prapë të shmangin llogari dhënien.

Brenda një sistemi të tillë roli i ndërmjetësit bëhet i domosdsohëm. Ai nuk është një zyrtar i zgjedhur dhe as politik-bërës. Në fakt, në letër ai shfaqet si një personazh i parëndësishëm dhe banal, por në praktikë ai shërben për të lidhur botë që nuk mund ta pranojnë haptas njëra-tjetrën: politikën dhe biznesin, të ligjshmen dhe informalen, autoritetin institucional dhe zonat gri të tij. Por, ajo çka ndoshta është edhe më e rëndësishme është fakti se ndërmjetësi mbetet një personazh ‘me një përdorim.’ Sa kohë që sistemi funksionon, ai mbetet i dukshëm dhe në momentin që sistemi dështon, ndërmjetësi mund të izolohet dhe largohet lehtësisht nga vëmendja, për të mbajtur në këmbë strukturën, e cila është gjithmonë më e rëndësishme se sa nejrëzit brenda saj.

Të para nga ky kënd, edhe ngjarje të kohëve të fundit në Shqipëri nuk duhen lexuar si anomali të politikës sonë dhe as si devijime morale të shoqërisë tonë, pasi me gjasë përbëjnë një lloj përshtatjeje funksionale, e cila është edhe më shqetësuese se alarmi që ngre tonet në debate televizive rreth moralitetit të politikës dhe shoqërisë tonë. Thënë ndryshe, aty ku institucionet mbeten të dobëta dhe gëzojnë shumë pak besueshmëri nga njerëzit, rrjetet infromale jo vetëm që kthehen në plotësuese të politikës zyrtare, por shërbejnë edhe si një lloj stabilizuesi i saj. Ndërsa strukturat zyrtare garantojnë legjitimitet, ujditë informale sigurojnë efikasitetin e nevojshëm dhe ndërmjetësi është aty për të garantuar komunikimin e të dyjave.

Për këtë arsye, përqendrimi vetëm në teknika (regjistrime, përgjime dhe mekanizma të fshehta) bën që të humbasim thelbin e historisë. Fakti më domethënës i gjithë kësaj nuk është që politike kalon herë pas here nëpër zyra private, por se ajo e bën këtë gjatë gjithë kohës dhe në mënyrën më të natyrshme të mundshme.

Tani, këtu qëndron edhe rreziku i rënies pre e teorive konspirative dhe për ta shmangur këtë, nevojitet t’i kthehemi sërish interpretimit që Jiang Xueqin i bën pushtetit bashkëkohor dhe mënyrës se si ai funksionon. Sipas tij nuk nevojitet një konspiracion i madh me një mastermind djallëzor që fshihet pas gjithçkaje. Përkundrazi, ai thotë se ajo çka i mban në këmbë këto sisteme tonat është vulnerabiliteti i përbashkët. Në momentin që të gjithë kanë diçka për të humbur, heshtja shërben si zgjidhja më racionale dhe e natyrshme.

Kjo shpjegon edhe pse skandalet që lindin sot nga politika shpërbëhen në mënyrë kaq të parashikueshme, pa arritur të prekin pushtetin. Ndërsa hetimet ngushtohen gjithnjë e më shumë në përpjekje për të gjetur përgjegjësin e qartë, përgjegjësia fragmentarizohet dhe ndahet në një mori copëzah. Problemet përshrkuhen si dështime procedurale, ndërsa institucionet shprehin habi, nisin rishqyrtime dhe hetime të brendshme, por duke mbetur në fund të pandryshuara dhe të paprekura nga pasojat e skandalit të ekspzouara.

E gjithë kjo nuk mund të jetë e rastësishme. Në një sistem që ngrihet mbi idenë e vazhdimësisë dhe rritjes me çdo kusht, çfarëdo lloj pëçarjeje do të qe e rrezikshme ekonomikisht. Tek e fundit, tregjeve dhe kapitalit, pavarësisht asaj çfarë thonë, nuk iu pëlqen pasiguria dhe paparashikueshmëria. Për rrjedhojë, krizat manaxhohen vetëm për të lokalizuar impaktin e tyre, duke e asborbuar dhe ridrejtuar dëmin, apo nëse është e nevojshme, duke e personifikuar atë. Kështu, një person i vetëm largohet nga vëmendja, duke u detyruar të dorëhiqet ose të heshtë përgjithmonë, duke krijuar përshtypjen se diçka është ndrequr, kur në fakt është garantuar vetëm vazhdimësia dhe qëndrueshmëria e sistemit. Nga ana tjetër, struktura që kishte nevojë për rolin e tij – ujditë informale që e bënin personin të dobishëm – mbeten të paprekura.

Dhe sikurse në një program reality, episodi përfundon duke mos zgjidhur konfliktin, por duke realizuar detyrën e vet më thelbësore: të mbajë në këmbë veten. Teksa vëmendja shtyhet tjetërkund dhe të gjithë mendojmë se normaliteti tashmë po kthehet, shfaqja vazhdon përmes të njëjtës logjikë, në pritje të momentit të radhës të krizës së kontrolluar/Tema