Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj ju prek privatësia mjekësore nga policia e burgjeve.

Ky është përfundimi i Avokatit të Popullit në përfundim të verifikimeve që morën shkas nga shqetësimet e kryebashkiakut të Tiranës i cili gjatë ekzaminimeve mjekësore nuk u la vetëm me mjekët, por gjatë kolonoskopisë qëndroi edhe një efektiv i burgjeve.

Pas vizitës urgjente mjekësore të 31 korrikut, kryebashkiaku njoftoi Avokatin e Popullit për shkelje të dinjitetit. Avokati i Popullit thotë në raportin që TCH e disponon, se komisionerët pyetën mjekët që e ekzaminuan kryebashkiakun dhe ata kanë pohuar se Erion Veliaj e kishte kundërshtuar praninë e policisë gjatë kolonoskopisë.

U kam kërkuar punonjësve të presin jashtë”, pohon mjeku, “por ata nuk kanë pranuar duke thënë se e kanë për detyrë të zbatojnë rregullat e sigurisë të miratuara në këto raste”.
Nga këqyrja e ambientit të dhomës, përshkruan komisioneri, rezulton se vendi ku u krye ekzaminimi i kryebashkiakut ishte i hapur dhe i pandarë, ku mundësia për të shmangur shikimin dhe dëgjimin se çfarë po ndodhte në dhomë ishte e pashmangshme.
Sakaq në pyetjet e drejtuara Drejtorisë së Burgjeve, konfirmohet se Veliaj vlerësohej nga autoritetet, gati një muaj pas arrestimit, si një i burgosur me risk standard, pra jo i rrezikshmërisë së lartë, dhe për këtë arsye dilet në përfundimit se prezenca e policisë gjatë vizitës mjekësore ishte e panevojshme.
Por në katër shkresa të përcjellja nga Burgjet, i shpjegohet Avokatit të Popullit se prezenca e policisë duke shkelur raportin pacient mjek, në rastin Veliaj u ndoq duke zbatuar një urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve që i përket 21 janarit 2019, ndaj Avokati i Popullit kërkon ndryshime sa më të shpejta.
Ky rekomandim prek urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve.
Nisur nga rasti Veliaj avokati i Popullit deklaron se prania e policisë gjatë vizitave mjekësore që duhet të mbeten konfidenciale, duhet të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme sigurie dhe rekomandon se urdhri i 2019 duhet të ndryshojë dhe të përmbushen standardet ndërkombëtare për respektimin e dinjitetit.
Kjo është fitorja e dytë e Veliajt pas asaj që mori nga Kushtetuesja që e ktheu në detyrën e kryetarit të bashkisë Tiranë.
Si një i akuzuar nga SPAK për korrupsion, Veliaj i është drejtuar sërish Gjykatës me kërkesën për shpalljen si jo të ligjshëm të masës arrest në burg.
Megjithatë gjykata Kushtetuese nuk e ka caktuar ende datën se kur do ta shqyrtojë këtë kërkesë.
Gjykimi paraprak ndaj 30 të pandehurve, mes tyre Veliaj, është shtyrë në 5 janar, pas kërkesave të vazhdueshme të funksionarit për t’i vendosur në dispozicion fashikujt e hetimit.