Krishtlindjet shpesh konsiderohen si një kohë dashamirësie dhe solidariteti, por për Rob dhe Dianne Parsons, një akt i thjeshtë human 50 vite më parë ndryshoi përgjithmonë jetën e tyre, shkruan BBC.
Më 23 dhjetor 1975, ndërsa po përgatiteshin për festat e Krishtlindjes në shtëpinë e tyre në Cardiff, çifti dëgjoi një trokitje në derë. Para tyre qëndronte një burrë me një qese mbeturinash ku mbante sendet personale dhe një pulë të ngrirë në dorë. Ai ishte Ronnie Lockwood, një burrë autik, të cilin Rob e njihte vagëllimthi nga koha kur e shihte në shkollën e së dielës.
“E pyeta pse kishte një pulë. Ai tha se dikush ia kishte dhuruar për Krishtlindje. Pastaj thashë dy fjalë që ndryshuan jetën tonë: ‘Hyr brenda’”, kujton Rob.
Në atë kohë, Rob ishte 27 vjeç dhe Dianne 26. Ata vendosën ta pranonin Ronnie-n, i cili ishte pothuajse 30 vjeç dhe kishte qenë i pastrehë që nga mosha 15-vjeçare. I gatuan pulën, e lanë të bënte dush dhe e ftuan të qëndronte për Krishtlindje.
Ajo që nisi si një gjest mëshire u shndërrua në një bashkëjetesë të jashtëzakonshme, e cila zgjati 45 vite, deri në vdekjen e Ronnie-t në vitin 2020.
Ronnie kishte kaluar një fëmijëri të vështirë, duke u vendosur në institucione që në moshë shumë të vogël dhe duke u zhvendosur qindra kilometra larg Cardiff-it, pa miq dhe pa mbështetje reale. Kjo e kishte lënë me frikën e vazhdueshme se mos kishte bërë “diçka gabim”, pyetje që do ta përsëriste shpesh gjatë jetës.
Fillimisht i tërhequr dhe i heshtur, Ronnie gradualisht u bë pjesë e pandashme e familjes. Çifti e ndihmoi të gjente punë si pastrues mbeturinash, i bleu rroba të reja dhe e trajtoi me dinjitetin që nuk e kishte njohur kurrë më parë. “Ishim si prindër krenarë,” tregon Rob.
Me kalimin e viteve, Ronnie u bë pjesë e përditshmërisë së tyre, me ritualet e tij të vogla, përkushtimin në kishën lokale dhe ndihmën për njerëzit e tjerë të pastrehë. Edhe kur familja kaloi periudha të vështira, përfshirë sëmundjen e rëndë të Dianne-s, Ronnie tregoi përkushtim dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme ndaj fëmijëve të tyre.




















