Në një zbulim tronditës që, siç thotë vetë, ia ndryshoi jetën, Henrik Lenkeit zbuloi krejt rastësisht në vitin 2024, në moshën 47-vjeçare, se Heinrich Himmler – kreu i fuqishëm i SS-ve dhe figurë qendrore e shfarosjes naziste të hebrenjve të Evropës – ishte gjyshi i tij biologjik.

Zbulimi nuk erdhi nga ndonjë rrëfim familjar, por nga një kërkim i thjeshtë në internet, që nisi pasi ai pa online një dokumentar për nazistët.

Siç raporton Sky News në një reportazh të posaçëm, Henrik tregon se gjithçka nisi kur ndoqi një dokumentar për nazistët në internet. I shtyrë nga dëshira për të mësuar më shumë, ai vazhdoi me kërkime online. Siç rrëfen, në një faqe interneti pa papritur fotografinë e gjyshes së tij nga ana e nënës, Hedwig Potthast. Ajo që e tronditi ishte mbishkrimi poshtë fotos: “e dashura e Himmler-it”. Që nga ai moment, sipas tij, filloi të zbërthehej një fije që nuk e dinte se ekzistonte. Hulumtimi i mëtejshëm, siç thotë, e çoi në përfundimin se Himmler ishte babai biologjik i nënës së tij dhe, rrjedhimisht, gjyshi i tij.

Gjatë takimit me Sky News, Henrik e përshkruan Himmler-in pa asnjë përpjekje për ta zbukuruar figurën e tij. “Përbindësh i keq, vrasës, nazist”, thotë, duke shpjeguar se këto fjalë tingëllojnë ekstreme vetëm derisa të bëhet e qartë për kë bëhet fjalë. Kur pyetet se si mund ta përballojë dikush lidhjen familjare me “një nga kriminelët më të mëdhenj në Histori”, ai përgjigjet shkurt: “Nuk e përballon dot”.

Më pas, siç përshkruan, erdhën pyetje të njëpasnjëshme për identitetin e tij dhe heshtjen familjare. “Kush jam? Kush isha? Pse nuk më thanë të vërtetën për 47 vjet?” thotë. Dhe shton: “Pas dyzet e shtatë vjetësh, jeta ime ishte si një gënjeshtër”. Nuk jep një përgjigje përfundimtare se pse iu fsheh e vërteta, por vlerëson se prindërit e tij ndoshta e mbrojtën nga pesha e saj. Henrik hap një album fotografik dhe tregon foto të Hedwig-ut. Në një prej tyre, nga viti 1935, ajo shfaqet e re dhe me një buzëqeshje të lehtë. Sipas tij, deri në vitin 1938 ajo dhe Himmler i kishin rrëfyer njëri-tjetrit dashurinë e tyre.

Sipas rrëfimit të tij, ata u njohën përmes punës në selinë e policisë sekrete në Berlin, ku ajo punonte si sekretare personale e tij. “Nuk vonoi” të niste lidhja e tyre, thotë ai, ndërsa përpiqet të pajtojë përvojën familjare me kontekstin historik.

Për gruan që ai e quante “Mutti” – një term i përkëdhelur që do të thotë “mama” – thotë: “Ishte një njeri i sjellshëm”. Dhe shton për tronditjen e zbulimit: “Nuk mendova kurrë se mund të ishte e dashura e një vrasësi masiv. Ta dish këtë, natyrisht, ishte një shok”.

“Ajo e dinte gjithçka” dhe pretendimet për përfshirjen e saj

Sipas Sky News, gjatë hulumtimit u përmend se Potthast ishte “naziste e bindur”. Përmendet gjithashtu një pretendim se ajo kishte një kopje të “Mein Kampf” të lidhur me lëkurë njerëzore. Kur Henrik pyetet nëse ka dëgjuar diçka të tillë, ai nuk duket i befasuar dhe hedh poshtë idenë se gjyshja e tij ishte naive apo e painformuar. “E dinte. Mendoj se i dinte të gjitha”, thotë.

Duke vazhduar, ai jep vlerësimin e tij për mënyrën se si e sheh marrëdhënien e saj me Himmler-in: “Ishin të dashuruar. Të dashuruar-përbindësha. Kam dëgjuar madje se ajo e inkurajonte Himmler-in të përshpejtonte”, shton ai, duke përshkruar ato që thotë se ka mësuar.

Letrat, “lepurushi” dhe “vërtetimi bardh e zi”

Historia përfshin edhe letra të shkëmbyera mes tyre. Në to, Himmler thuhet se e quante Hedwig-un “lepurush”, ndërsa në një letër nënshkruante “me mendime dhe përshëndetje të pafundme plot dashuri”.

Edhe pse ishte i martuar kur ajo mbeti shtatzënë, Himmler, sipas raportimeve, besonte se po “përhapte racën sunduese” dhe për këtë arsye shtoi emrin e tij në certifikatën e lindjes së nënës së Henrik-ut. Për vetë Lenkeit-in, kjo do të thotë se lidhja e tij me Himmler-in nuk është hamendësim apo thashethem, por diçka që “konfirmohet bardh e zi”.

Kur pyetet se çfarë do të thotë kjo trashëgimi, ai përgjigjet: “Sigurisht që e pyet veten: ‘Cila është trashëgimia ime nga kjo?’”.

“Vrasës masiv”, “djall”, “demon” dhe në fund “gjysh”

Himmler paraqitet si kreu i SS-ve dhe një nga arkitektët kryesorë të kampeve të shfarosjes në kuadër të të ashtuquajturës “Zgjidhja Përfundimtare”, term që përdornin nazistët për gjenocidin sistematik të hebrenjve të Evropës. Përshkruhet se u krijuan kampe të gjera vdekjeje, ku miliona njerëz, kryesisht hebrenj, u vranë.

Duke u nisur nga këto fakte, Henrik thotë se sot e sheh atë si “vrasës masiv”, “djall”, “demon”. “Të gjitha gjërat e këqija që mund të imagjinosh”, shton ai. Kur dëgjon shprehjen se, pas gjithë këtyre, “në fund të listës duhet të vendosësh fjalën ‘gjysh’”, ai përgjigjet: “Po, zëvendësi i Hitlerit dhe gjyshi”. Dhe vazhdon, ngadalë: “Është gjyshi im. Nuk mund të bëj asgjë për këtë”.

Edhe pse nuk mund ta ndryshojë prejardhjen e tij, Henrik thotë se dëshiron të kërkojë falje nga viktimat e Himmler-it dhe të shkëputet plotësisht nga e kaluara e errët që shoqëron emrin e gjyshit të tij.