Përdorimi i fishekzjarreve dhe kapsollave po shënon rritje të ndjeshme në prag të festave të fundvitit, por ajo që është më shqetësuese është se këto mjete piroteknike po përdoren gjithnjë e më shumë nga të mitur, duke rritur rrezikun për aksidente dhe dëmtime serioze.
I tillë është rasti i një 15 vjeçari në Durrës i cili mbrëmjen e së shtunës u shoqërua me urgjencë në spital si pasojë e dëmtimeve në fytyrë për shkak të përdorimit të fishekzjarreve.
Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në banesën e tij, ndërsa për shkak të gjendjes shëndetësore, i mituri është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa policia po vijon verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




















