Policia e Durrësit ka bërë me dije se shkak i zjarrit të 8-të autobusëve një ditë më parë në sektor “Rinia”, pranë “Eco Park” ka qenë aksidentale.
Përmes një njoftimi zyrtar blutë informojnë se zjarri është shkaktuar si pasojë e një shkëndije elektrike në baterinë e njërit prej autobusëve.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, lidhur me zjarrin në parkun e autobusëve, ku u dogjën 8 autobusë që ndodheshin jashtë funksionit, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori si ngjarje aksidentale, pasi nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobusëve”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.




















