BEN ANDONI
Autoritarizmi i të Majtës në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një pengesë për zhvillimet normale të vendit. Skandalet e fundit tejet agresive dhe fyese që lidhen me AKSHën, si edhe veprimtarinë e Ministrisë së Infrastrukturës, veçanërisht të kulmuara tek numri 2 i Ekzekutivit Rama-4, znj. Balluku, e kanë mbyllur vitin 2025 me perceptimin se e ardhmja nuk parashihet si aq pozitive për vendin.
Për të sqaruar konceptin e “Autoritarizmit të Majtë”, sqarojmë se i referohet pushtetit të madh dhe gjithëkahësh nga Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH), e drejtuar për katër mandate nga Kryeministri Edi Rama. Megjithë zhvillimet e pamohueshme të vendit në këto 35 vite nuk mund të mohohet se trashëgimia e ashpër politike e së kaluarës rëndon ende shumë mbi ne. E Majta e Ramës përmes folësve të ndryshëm të PSSH dhe personalisht vetë atij nuk e mohon se janë parti që i kanë rrënjët e ngulura thellë qysh më 8 Nëntor 1941 (Formimi i PKSH-së)! Ashtu si nga ana tjetër, paradoksalisht edhe e Djathta që identifikohet me PD-në, në shumë momente, vepron në të njëjtën mënyrë në politikat e saj të brendshme. Një populizëm i lodhshëm dhe shumë patetik. Në fakt, populizmi shqiptar që e ushqen këtë autoritarizëm, përmes politikës, është një etno-populizëm. Veçse ndryshe nga simotrat populiste evropiane, zakonisht antiBE, populizmi shqiptar (nën Ramën) e shpërfaq Bashkimin Evropian si partner real, madje me moton e saj, siguroi fitoren dehëse të PSSH-së në zgjedhjet 2025.
Por, a është vallë polarizimi i madh në vend dhe konfuzimi që lejon lulëzimin e narrativave populiste? Në Shqipëri ky sens e ka drejtimin nga lart-poshtë dhe përdoret për mbajtjen e pushtetit të Ramës që sot si atribut kryesor ka kulturën e “Patronazhit”, bash atë që është kritikuar (sidomos skandali “patronazhist” në vitin 2021) për të ruajtur ndikimin dhe mbështetjen e tij horizontale dhe vertikale.
Gjithsesi, Shqipëria e sotme është një vend në zhvillim me një demokraci parlamentare dhe studiuesit e përshkruajnë regjimin aktual si një sistem “hibrid”. Referuar “Freedom House”: Në vitin 2024, Shqipëria u klasifikua si një “demokraci me të meta”, pra me sfida të vazhdueshme ndaj proceseve të saj demokratike. PSSH, partia në pushtet e ka shtrënguar deri në absurd kontrollin e saj mbi institucionet shtetërore, ashtu si i ka bërë të pamundur kontrollet dhe balancat, si edhe në disa raste duket se e ka politizuar gjyqësorin, ku SPAK mbetet segmenti që po përpiqet ta sfidojë korrupsionin. Por ky i fundit tashmë është i pamatë. Zbulimet që po i bëhen anatomisë së pushtetit të Majtë përmes rastit “Balluku” etj. dhe, cinizmi skajor i zyrtarëve, tregon se autoritarizmi në Shqipëri ka kapur nivele tejet shqetësuese. Balancat e pushteteve dhe kontrollet nuk respektohen nga Ekzekutivi “Rama”. Shqetësimi publik rritet prej faktit të një Opozite tejet të fragmentuar, të përçarë dhe tashmë në betejë me njëri-tjetrin, ku Berisha me Salianjin është telenovela e re PD-iste që do sjellë sërish pasoja për bjerrjen e kësaj force, por aspak rritje dhe besim tek komuniteti opozitar. Media, së fundmi, po goditet dhe nëpërkëmbët por në jo pak raste përballet deri në sulme fizike. E megjithatë dhe kjo është më e vogla, kur nga rastet e korrupsionit kemi parë se tendencat autoritare “të fshehta” të partisë kanë indikacione gjithnjë e më të shpeshta të përmendjes së krimit të organizuar. Rasti i kadastrës së Durrësit, përmendja normale e bandave të Elbasanit janë disa nga këto elementë.
Pasojat janë të dhimbshme: “Eurobarometri Special për Korrupsionin për vitin 2025: tregon se 86% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është i përhapur në vendin e tyre (mesatarja e BE-së: 69%) dhe 45% e tyre ndihen personalisht të prekur nga korrupsioni në jetën e përditshme (mesatarja e BEsë: 30%)”, shkruhet në këtë raport. Kurse një studim i publikuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në shtator 2025 hedh dritë mbi dimensionet shqetësuese të pastrimit të parave në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Analiza me autor Prof. Asoc. Dr. Adriatik Kotorri dokumenton se një pjesë e konsiderueshme e boom-it të ndërtimit në vend mund të jetë financuar nga burime me origjinë të dyshimtë, ku shuma e pajustifikuar e prej 9.13 miliardë Euro ngre pyetje serioze mbi origjinën e fondeve. Migracioni vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore që e formëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare dhe madje një paradigmë e historisë kombëtare, sipas historianit Oliver Schmidt. Sipas Anketës së Migracionit të Familjeve 2024, realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, rreth 37% e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një anëtar që aktualisht jeton jashtë vendit ose ka migruar dhe është kthyer. Anketa vlerëson se rreth 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Jo më kot, shqetësimet Ndërkombëtare, të kanalizuara përmes raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe BEsë kanë shprehur shqetësime në lidhje me korrupsionin, sundimin e ligjit dhe krizat politike artificiale të krijuara nga udhëheqja e sotme.
“Marrëdhënia midis ndryshimeve të politikave të partive populiste në Evropën Qendrore dhe Lindore (EQL) dhe suksesit të tyre zgjedhor nuk është e drejtpërdrejtë. Nga njëra anë, në kundërshtim me gjetjet empirike të Tavits (Citation2007), strategjitë e suksesshme të partive në EQL përqendrohen në ndryshimet në fushën e çështjeve kulturore dhe jo në politikën ekonomike. Në kohë krizash, ato përdorin një përzierje të etnopopulizmit (Vachudova Citation2020) dhe inovacioneve të politikave nga një set mjetesh autoritare (Enyedi Citation2020)”, shkruan Denis Ivanov në “Left authoritarianism and positional shifts of populist parties in Central and Eastern Europe” (“Autoritarizmi i majtë dhe ndryshimet pozicionale të partive populiste në Evropën Qendrore dhe Lindore”-Referencat janë në artikullin e tij).
Në rastin e Shqipërisë Etno-populizmi vepron ndryshe nga modelet tipike të Evropës Qendrore dhe Lindore, me përvojë shumë të madhe demokratike, me një të ashtuquajtur “populizëm eurofilik” që e lidh legjitimitetin e brendshëm me integrimin në BE dhe jo me ndjenjat anti-evropiane. Për shkak të homogjenitetit demografik, politika jonë është shumë e polarizuar dhe karakterizohet nga marrëdhënie tejet simbiotike midis medias, biznesit dhe elitave politike, e cila e ka bërë tashmë të lodhshëm diskursin populist, sicc ndodhi për shembull tek ne me tërmetin e vitit 2019 dhe pandeminë e COVID-19. Elementët e sipërpërmendur e bëjnë autoritarizmin shqiptar t’i mvishet parimeve të BE-së dhe duke përdorur konjukturat e reja të zgjerimit të ketë një lloj legjitimitet të brendshëm. Nga ana tjetër, autokracia po e bën vendin të pajetueshëm prej mungesës së demokracisë dhe cinizmit ndaj saj, fakt që politologu Ivan Krastev e ka shprehur ndryshe: “Autoritarizmi nuk pretendon më të jetë një alternativë e vërtetë ndaj demokracisë, por mund të shohim shumë praktika dhe stile autoritare që në thelb po futen kontrabandë në qeveritë demokratike”. Rasti i Shqipërisë është një i tillë, paçka se vendi i falet faktit që tashmë nën Ekzekutivin “Rama” i ka hapur të gjitha kapitujt e integrimit dhe është anëtarë e NATO, elementë që do të thotë se presioni ndërkombëtar dhe elementët e pranimit, mund ende ta ndijnë stabilizimin e vendit, në mos për gjë tjetër, të paktën si nevojë për detyrimin e zbatimit të reformave. (Homo Albanicus).




















