Nga Gjergji Nika

Nuk është normale, as e drejtë, as demokratike që Vlora të qeveriset nga mazhoranca e minorancës. Aq më pak është e pranueshme që kjo minorancë të sillet si pronare e qytetit, me arrogancë, papërgjegjshmëri dhe nënvlerësim ndaj qytetarëve, vetëm sepse ka marrë poste drejtuese si shpërblim interesash të ngushta politike e ekonomike, ku hijet e oligarkëve duken më qartë se vullneti i popullit.

Le të flasim me shifra, sepse propaganda ka frikë nga matematika.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, në Vlorë morën pjesë vetëm 30% e votuesve. Nga ky 30%, Ermal Dredha mori një mbështetje 28271 vota, që përkthehet në rreth 18% të qytetarëve të Vlorës me të drejtë vote. Pra, kryetari i bashkisë u zgjodh nga më pak se një e pesta e elektoratit real.

Dy vite më pas, situata u bë edhe më groteske. Në vitin 2025, në kutitë e votimit u paraqitën vetëm 12.5% e qytetarëve vlonjatë. Dhe nga ky numër minimal, kryetarja Bruna Mersini u zgjodh me 15672 vota që përkthehet në vetëm 8% të votave të qytetarëve të Vlorës me të drejtë vote.

Le ta themi pa e zbukuruar: 92% e qytetarëve nuk e kanë votuar këtë qeverisje.

Disa sepse nuk besojnë më.

Disa sepse janë lodhur.

Disa sepse janë përjashtuar nga çdo shpresë për përfaqësim real.

Disa se nuk kanë alternativë.

Dhe, megjithatë, kjo pakicë sillet si shumicë absolute. Flet me gjuhë urdhëruese. Merr vendime me forcën e kartonit pa konsultim. Kalon buxhete, projekte, interesa, si të ishte një klub privat e jo një institucion publik. Lë Vlorën pa ujë për katër ditë dhe sot që po flasim ende nuk dihet se sa do të jetë akoma. Tall protestën, duke i quajtur protestuesit: “Erdhën këta të Bathores!”. Përçmon kritikën. U mbyll gojën qytetarëve.

Kryetarja e bashkisë, e cila duhet të ishte kryetare e të gjithë qytetarëve vlonjatë, pavarësisht nëse e kanë votuar apo jo, fshihet dhe nuk mban përgjegjësi. Kryetarja duhet të kuptojë se administrimi i qytetit nuk është arrogancë por përgjegjshmëri. Kryetar bashkie nuk të bëjnë heqja dhe lirimi i disa hapësirave të zaptuara, se kështu ka dhënë urdhlë kryeministri; as kontrolli erdhe apo ike në orar nga puna; as fotografimi apo deklaratat përpara kazanëve të plehrave.

Kryetare bashkie të bën puna e përditshme dhe marrja e përgjegjësive, të cilat zonja Mersini dhe shumë drejtorë përgjegjës rezufojnë të marrin.

Atëherë pyetja është e thjeshtë dhe therëse: Nga buron kjo arrogancë?

Sigurisht jo nga vota.

Jo nga legjitimiteti moral.

Jo nga përkrahja qytetare.

Kjo arrogancë buron nga pushteti pa frikë, nga një sistem që ka mësuar se edhe me 8% mund të sundosh, mjafton të kesh bekimin e partisë, mbrojtjen e interesave të mëdha ekonomike dhe një shoqëri të lodhur që nuk reagon më.

Kur pushteti nuk ka frikë nga qytetari, ai fillon ta përçmojë atë. Kur një kryetar bashkie e di që nuk i detyrohet shumicës, por vetëm një pakice klienteliste, atëherë demokracia shndërrohet në procedurë boshe, ndërsa qeverisja në arrogancë të institucionalizuar.

Vlora sot nuk qeveriset nga vullneti i shumicës, por nga heshtja e shumicës. Dhe kjo heshtje po keqpërdoret çdo ditë.

Demokracia nuk është thjesht të fitosh zgjedhjet.

Demokracia është të përfaqësosh.

Të dëgjosh.

Të justifikosh pushtetin që ushtron.

Kur qeveris me 8%, nuk ke të drejtë morale të sillesh si 80%.

Kur je zgjedhur nga apatia, nuk ke mandat për arrogancë.

Vlora nuk ka nevojë për sundimtarë të vegjël me pushtet të madh.

Ka nevojë për përfaqësim real.

Për përgjegjësi.

Për respekt ndaj qytetarëve që, edhe kur nuk votojnë, nuk kanë hequr dorë nga e drejta për t’u trajtuar me dinjitet.