Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp këtë të hënë u ndal te protesta e banorëve të Vlorës për shkak të ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm.
Duke përshëndetur këtë protestë, kryedemokrati u shpreh se revolta e vlonjatëve është qytetare dhe dinjitoze.
“Dua të përshëndes përzemërsisht qytetarët e Vlorës për protestën e tyre dinjitoze, qytetare, për fibrën e tyre qytetare që reagon në mënyrën më të fuqishme. Ja, u zunë Gala-n në fyt, zyrtarëve makut që kanë vjedhur paratë e furnizimit të ujësjellësit. Protesta juaj është shpëtimtare kundër këtij regjimi. Uji nuk mungon vetëm në Vlorë. Uji mungon në mbarë Shqipërinë. Arbitrariteti nuk ushtrohet vetëm në Vlorë. Arbitrariteti ushtrohet në çdo skaj të këtij vendi. Për të shpëtuar duhet zëri juaj, duhet angazhimi juaj qytetarë, të përzëmë sa më parë këtë të keqe që ka rënë në krye të Shqipërisë,” tha ai.




















