Viti që po lëmë pas shënon betejën kulmore të drejtësisë me qeverinë në Shqipëri, një betejë që formalisht i ka hapur llogoret te fronti i korrupsionit, por që lexohet qartë që është një betejë për hapësira pushteti dhe autoriteti në vend.
Beteja, e cila kishte nisur më parë me akuzat ndaj Ahmetajt, Beqajt, Bllakos e disa zyrtarëve të tjerë të lartë, deri në atë kohë shihej si legjitime dhe kryeministri Rama kishte adoptuar një qëndrim të unifikuar, ku zyrtarët dorëhiqeshin dhe vazhdonin vetë betejën me drejtësinë.

Por në fillim të vitit 2025, beteja u bë më dramatike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në fillim të shkurtit pas padisë së një personi anonim, Anesti Angoni, për një denoncim që nuk është i provuar lidhur me konfliktin e interesit mes Erion Veliajt dhe biznesmenit Gent Sulaj. Sipas Angonit, Veliaj i kishte punësuar gruan zëvendësministre dikur në vitin 2013 dhe kishte marrë tre vila në Qerret.

Deri më sot, SPAK as ka gjetur dot ndonjë vilë të Veliajt nga tre që pretendon anonimi Angoni, as nuk përbën provë fakti që Gentiana Sulaj ka qenë zëvendësministre, pasi zëvendësministrat emërohen nga kryeministri.
E gjitha dukej një proces i nisur nga vetë SPAK, me një kallëzues anonim, që është rasti i parë dhe i vetëm deri tani në drejtësinë e re, siç quhen institucionet e prokurorisë speciale.

Erion Veliaj u arrestua në zyrë pa iu ngritur akuza dhe u izolua në qeli. Ai ende nuk ka filluar gjyqin në themel, edhe pse është në muajin e 11 të burgut, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar të paligjshme përpjekjen për ta shkarkuar atë nga detyra. Praktikisht, ai rezulton një kryetar i zgjedhur, i cili është pezulluar forcërisht nga SPAK, duke u çuar në qeli dhe me çdo kriter të Gjykatës Kushtetuese duhet të kthehet në zyrë deri në shqiptimin e një vendimi që e shpall fajtor.

Sidoqoftë, kjo është beteja e tij e mëtejme deri në Strasburg, gjykatë e cila ka anuluar gjerësisht vendime të SPAK, por që ish-kryetari i SPAK, Dumani, i konsideron vendime të nxituara dhe nën zë me ndërkombëtarët e quan dhe gjykatë të korruptuar.

Arrestimi i Veliajt krijoi dhjetëra teori konspiracioni për shkak të luftës së brendshme në Partinë Socialiste dhe trajtimit gati çnjerëzor në burg nga administrata e burgjeve, e drejtuar nga Ulsi Manja. Atij i janë refuzuar avokatët ndërkombëtarë dhe këtë javë një OPGJ i BKH u ka kërkuar llogari tre eurodeputetëve përse duan ta takojnë Veliajn dhe mbështetet vendimi i tyre në ndonjë rezolutë të BE-së (?!).

E gjitha, në fakt, duket se është një shfryrje personale e dy prokurorëve të çështjes, të cilët, në mungesë të provave për akuzat për të cilat e çuan në qeli, janë lëshuar për gjah të gjejnë akuza të reja, që, siç thotë nëpër takime dhe Dumani, “të mos e shohë më dritën e diellit”.

Pas betejës së SPAK me Veliajn, u pa se më militantët se SPAK ishte dhe vetë GJKKO. Në një seancë gjyqësore paraprake, ajo i kërkoi prokurorisë ta konsiderojë Ilir Beqajn grup kriminal në lidhje me koncesionin e sterilizimit, i cili ka përfunduar me sukses dhe i ka kursyer lekë shtetit shqiptar, si dhe ka përmirësuar ndjeshëm shërbimin kirurgjikal në Shqipëri.

Është e paprecedent se si një gjykatë kërkon një ndëshkim një shkallë më lart se sa prokuroria, dhe GJKKO e ka bërë këtë së paku në tre raste me zyrtarë të lartë, ish-ministra të PS-së. Fakti që Erion Bani, në krye të kësaj gjykate, është I njohur si militant i PD-së, nuk është i mjaftueshëm. Duket se më ka një frymëzim përtej pëlqimeve politike të disa prej atyre gjyqtarëve.

Dhjetëra zyrtarë të PS-së, kryetarë bashkish dhe titullarë institucionesh filluan të vizitojnë SPAK-un me një skenar propagandistik të “gjyqeve popullore”, ku zyra e shtypit e SPAK, para se të shfaqeshin ata në oborr, publikon me titra nëpër ekrane detaje dosjesh, që shpesh herë nuk përfundojnë në gjykatë, por shërbejnë që populli t’u bëjë gjyqin të pandehurëve.

Në shtator, në përpjekje për të ndryshuar situatën në Bashkinë e Tiranës, kryeministri Rama vendosi të shkarkojë Erion Veliajn dhe të shpallë zgjedhje në Tiranë, por Gjykata Kushtetuese e pengoi, duke e konsideruar të paligjshëm shkarkimin e Veliajt nga detyra.
Belinda Balluku, e cila u shfaq e fuqizuar në qeverinë e re të shtatorit, ndërkohë ishte bërë target i prokurorisë. Një dosje e mbushur me komunikime private mes saj dhe një vartësi u kthye në telenovelën më të ndjekur kombëtare, duke shtuar aty dhe fantazinë e Sali Berishës me etiketimet orë e ditore dhe shpikjet e qindra apartamenteve dhe jahteve luksoze, që SPAK as nuk i përgënjeshtron, as i pohon, sipas stilit të “gjyqit popullor”.

Akuza për pabarazi në tendera ndaj ministres bazohet te një kontroll i qartë i saj mbi detyrat e vartësve, që ka të bëjë më shumë me shpërndarjen e punëve te kompanitë e ndërtimit të rrugëve, duke dhënë porosi për disa kompani, që janë të lidhura me PD-në, me gjasë për të eliminuar traditën e eliminimit politik.

Kështu e tillë ishte kompania e drejtuar nga Shtufi, një njeri i afërt i Shkëlzen Berishës, Ram Gecit, një ish-sponsor i PD-së, Bashkim Ulajt, etj., të afërt me PD-në.

Ende nuk ka ndonjë gjurmë apo provë që zonja Balluku të ketë marrë shpërblim financiar për faktin e kontrollit të punës së vartësve, ndërkohë që nuk është autoritet kontraktor që të akuzohet për pabarazi në tendera. Më së paku ka vend për ndikim të paligjshëm, por ndërkohë është nën presionin e masës së arrestit me burg, ndërsa zyrtarët prokurues janë të gjithë nën akuzë.

Në tërësi, kjo betejë duket qartë se SPAK synon të trokasë në zyrën e Edi Ramës.

Dhe rasti më komprometues, në të vërtetë, u shfaq javët e fundit, kur një biznesmen i nëntokës politike, Ergys Agaçi, duket se ka përfituar tendera në mënyrë të paligjshme te AKSH dhe ka shërbyer dhe si favorizues apo eliminues i kompanive të tjera.

E shoqëruar kjo me telenovelat e vetë-regjistrimeve të tij, ai bëhet një rast i fortë zhurmues, që mbulon gjithë betejën jakobine të SPAK me pushtetin, pasi, sa herë që t’iu kujtohen çmenduritë e hetimeve apo linçimet personale, ata kanë së fundmi një rast të pastër korrupsioni dhe degradimi të një institucioni zyrtar për shkak të lidhjeve personale.

Dhe duket se nuk do të ndalen këtu. Flitet se Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrit, është nën akuzë penale për një histori të diskutueshme lobimi me një biznesmen, pronar tokash në Vlorë, dikur i afërt i Sali Berishës.
Kjo betejë e paprecedent e SPAK me qeverinë duket se ka vënë nën akuzë çdo zyrtar të lartë të qeverisë, përveç Edi Ramës, natyrisht duke synuar Edi Ramën dhe pushtetin.

Ky i fundit, për herë të parë, ndryshoi kursin dhe retorikën e tij ndaj SPAK, duke i konsideruar këto akte me prapavijë politike dhe duke folur për një gatishmëri për betejë me ta, dhëmb për dhëmb, për çdo rast të ri që t’i hapet.
Kjo betejë ka entuziazmuar opozitën, e cila shpreson se SPAK do ta rrëzojë nga pushteti Edi Ramën për të sjellë ata, që për fat të keq akoma vazhdojnë ta sulmojnë SPAK se “është i Edi Ramës”.

Paranojat që shoqëruan betejën e SPAK me qeverinë i kanë dhënë vrull fantazisë së tyre, duke folur për CIA, FBI, BE, MI6, etj., por të gjitha janë broçkulla shqiptare.

Ajo që është e vërtetë dhe duket qartë është se prokurorët e SPAK testuan dhe provuan se pushteti i tyre është i paprekshëm, se ata nuk japin më llogari askund, para asnjë institucioni në Shqipëri, se gjykatat i kanë vënë nën vete dhe se pushtetin mund ta ndryshojnë me urdhra arresti.

Kjo, e shoqëruar me disa prej tyre dhe me tifozëri politike, i ka bërë ata një pol pushteti të paprekshëm, të pakontrollueshëm, të pafrenuar dhe shpesh herë të pavetdijshëm për kufijtë e pushtetit të drejtësisë me pushtetet e tjera në Republikë.

Dhe kur gjakrat të bien dhe drejtësia të hyjë në shtratin e saj profesional, kjo intifadë ndëshkuese ndaj politikanëve shqiptarë do të mbahet mend gjatë si drejtësi jakobine, si fushata më e keqpëdorur në gjuhën e reformës në drejtësi, kur betejat humben në gjykatat evropiane, atje ku kërkon të anëtarësohet Republika e Shqipërisë.

Deri atëherë, Republika e Prokurorëve do ta ketë bërë Shqipërinë vendin më të zi në botë, me statistika që dhe kur je anëtar i BE-së duhet të përjashtohesh.

Dhe atëherë, kur s’do të kemi emocionet e një beteje në zhvillim e sipër, do të shohim se çfarë i kemi bërë ekonomisë, biznesit, shtypit dhe politikës me Reformën në Drejtësi, firmosur nga 140 deputetët nën presionin e BE dhe SHBA, për të cilën ngritëm dorën si drejtësi evropiane dhe po duartrokitet si drejtësi jakobine.