Ka diçka thellësisht shqetësuese – për të mos thënë turpëruese – në mënyrën se si një pjesë e analizës publike shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, po reagon ndaj një vullneti popullor të qartë. Jo sepse nuk pajtohet me të, por sepse nuk arrin ta konceptojë ndryshe veçse si produkt të korrupsionit, manipulimit ose prapaskenës. Sipas tyre, shqiptari, kur voton masivisht, nuk mund ta bëjë këtë nga bindja, por vetëm nga mashtrimi. Kjo nuk është thjesht arrogancë intelektuale por diçka më e rrezikshme.

Vasa Çubrilloviqi nuk ishte thjesht një akademik serb. Ai ishte një ideolog i inxhinierisë së urrejtjes, i pari që e konceptoi në mënyrë sistematike shkatërrimin e shqiptarëve jo domosdoshmërisht përmes luftës së drejtpërdrejtë, por përmes prishjes së kodit të tyre të brendshëm shoqëror.

Ai kuptoi diçka thelbësore:
shqiptarët nuk qëndrojnë vetëm mbi territorin, por mbi familjen, besën, nderin dhe ndjenjën e vetvetes. Nëse këto minohen, populli fillon të vetëshkatërrohet pa e kuptuar se po lufton një luftë të huaj.

Metoda ishte e qartë, shpifje e vazhdueshme, delegjitimim moral, provokim i konfliktit të brendshëm, vendosje figurash të caktuara në pika kyçe të shoqërisë dhe mbi të gjitha: normalizimi i gjuhës së pistë dhe agresive ndaj gjithçkaje shqiptare.

Sot, kjo metodologji nuk ka nevojë për traktate akademike sepse funksionon përmes ekraneve, ku çdo ditë, shqiptari paraqitet si i korruptuar “nga natyra”, çdo sukses shpjegohet si mashtrim, çdo fitore si produkt i parave të pista, çdo ideal si naivitet, atëherë ndodh ajo që Çubrilloviqi kishte parashikuar: shqiptarit fillon të mos i pëlqejë vetja.
Kur një popull fillon të turpërohet nga vetja, ai shkatërron figurat e tij, relativizon arritjet e tij, sulmon këdo që refuzon të pranojë narrativën e shëmtisë si “realizëm”.

Kjo është luftë hibride. Jo spontane. Jo e pafajshme. Dhe shpesh e financuar dhe e mirëmbajtur në mënyrë industriale, politike–ekonomike–mediatike.

Ajo që po ndodh sot me përpjekjen për ta relativizuar votën për Albin Kurtin është pikërisht ky mekanizëm në veprim.

Mesazhi i fshehtë është i thjeshtë dhe i rrezikshëm: “Shqiptari nuk voton dot ndershmërisht; nëse voton masivisht, patjetër ka diçka të dyshimtë.” Kjo është fyerje kolektive, jo kritikë politike. Sepse faktet janë kokëforta, Kosova ka më shumë tregues funksionaliteti shtetëror se kurrë më parë, ka më shumë transparencë institucionale, më pak kapje flagrante të shtetit, më shumë dinjitet në politikën e jashtme, më shumë besim qytetar në proces.

Këto nuk janë ndjenja por tregues realë. Dhe kur përballë tyre përgjigja është vetëm insinuata, atëherë nuk kemi analizë, por propagandë përçarëse.

Problemi kryesor nuk janë ata që manipulojnë por është heshtja e atyre që do të duhej t’i rezistonin kësaj dialektike antishqiptare pikërisht sepse e bëjnë dallimin mes kritikës dhe vetëurrejtjes, janë të aftë ta mbrojnë dinjitetin pa u bërë militantë, dhe e shohin politikën si proces emancipimi e jo si pazar, sepse nuk mund ta pranojmë normalizimin e një farse.

Në të kundërt gënjeshtra bëhet “opinion” dhe agresiviteti bëhet “sinqeritet”.

Të flasësh kundër kësaj maskarade sot nuk është ekstremizëm, as nacionalizëm i verbër. Është akt minimal i vetëdijes politike. Sepse të mbrosh të drejtën e një populli për të votuar pa u poshtëruar, të mbrosh mundësinë që një sukses të jetë real dhe të mos e pranosh automatikisht narrativën e shëmtisë, do të thotë të mbrosh normalitetin.

Dhe ndoshta pikërisht tani, kur një fitore e madhe ka krijuar hapësirë morale, është momenti që këta zëra të mos mungojnë më. Sepse heshtja, në këtë rast, nuk është neutralitet. Është bashkëfajësi në një metodë të vjetër, që ne e njohim shumë mirë dhe që nuk kemi më asnjë arsye ta tolerojmë.