Gjatë vitit 2025, Shqipëria u përball me një seri ngjarjesh të rënda kriminale, ku vrasjet dhe atentatet tronditën opinionin publik në disa qytete të vendit.

Nga Shkodra, Tirana, Lezha e Durrësi, deri në Elbasan e Vlorë, krimet u shënuan shpesh për motive hakmarrjeje, gjakmarrjeje, konflikte pronësie apo sherresh banale.

Në disa raste autorët u arrestuan, ndërsa një pjesë e ngjarjeve mbeten ende të pazbardhura, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë publike dhe nivelin e kriminalitetit në vend.

SKEDAT E KRIMIT

-Në 6 janar 2025, u regjistrua vrasja e Ramzan Matajt në Dragoç, Shkodër, i gjetur i vrarë brenda makinës së tij. Për krimin u arrestuan vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj.

Motivi: Një konflikt i lindur për shkak të një lidhjeje që viktima kishte prej gjashtë vitesh me motrën e dy autorëve.

-Në 12 janar të 2025-ës u vra Bujar Nasufi në Tiranë. Nasufi u ekzekutua në sy të bashkëshortes së tij. Kjo e fundit ishte brenda mjetit në momentin kur autori u afrua dhe e qëlloi duke e lënë të vdekur në vend.

-Në 13 janar u vra Kristian Marku në Vlorë. Dosja e tij penale përmbante një sërë akuzash që lidhen kryesisht me përfshirjen në konfliktin e përgjakshëm mes fiseve Reçi, Gjini dhe Bardhi në qytetin e Rrëshenit. Lidhur me ngjarjen është arrestuar Erald Cenaj, 36 vjeç, banues në Kukës, i cili dyshohet se siguroi automjetin që u përdor në krim.

-Në 24 janar vritet Lulzim Visha në Tiranë. Në pranga për krimin përfundoi Eduart Lami, 37-vjeç.

–27 shkurt 2025 solli një tjetër vrasje të rëndë në Shkodër, ku u vra Pavlin Preka, krim për të cilin janë arrestuar Vasel Koçeku, 43 vjeç dhe Klaudio Lisaj, 20-vjeç.

-Më 17 prill 2025 u regjistrua vrasja e Gjovalin Prendit në Lezhë, edhe ky rast pa autorë të arrestuar, ndërsa si motiv dyshohet se është hakmarrja.

-Sakaq, një tjetër krim u regjistrua më 1 qershor 2025, ku u vra Pjetër Kaza, në Lezhë. Edhe ky krim dyshohet se ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes që daton në 1994 mes fiseve Gjini dhe Kaza.

-Më 4 qershor 2025, në qytetin e Durrësit, u vra Ermir Dedja (29 vjeç), ngjarje e cila çoi në arrestimin e dy personave, Erion Ndoni dhe Klodian Berisha, ndërsa një tjetër i shpallur në kërkim Xhuljano Dyrmishi, dyshohet për përfshirje në këtë vrasje dhe në organizimin e saj kriminal.

-Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi më 4 gusht 2025 në Vaun e Dejës, kur u vra Frrok Lleshaj, edhe ky rast mbetet i pazbardhur nga policia. Ndonëse nuk ka të arrestuar, pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90 ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një shtetas tjetër nga Puka. Gjithçka nisi në vitin 1991 kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi.

-Më 14 gusht mbeti i vrarë një 14-vjeçar. I mituri Erald Xhejo u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, pas një sherri për motive banale.

-Piro Prroni (61 vjeç), u vra më 28 gusht 2025 në Abat të Postribës, ndërsa autori Ndoc Maçaj u dorëzua në polici.

–Kristian Kola (34 vjeç), u vra më 4 shtator 2025 pas një sulmi me armë në Shkodër.

-Armando Pali dhe Liridon Kraja (alias Lusha), u vranë më 8 shtator 2025 në një bar pranë Shkodrës në një sulm me armë, ku u plagosën edhe të tjerë. Autori Ragip Gila u arrestua.

–Më 18 shtator u nxor pa jetë në një humnerë Mirel Çokaj, ndërkohë familjarët e tij pretendojnë se ai është vrarë për parcelat e kanabisit. Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet.

-Ndërkohë, ngjarja më kriminale e këtij viti padyshim ishte vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor 2025 në sallën e gjyqit. Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë nga një i pandehur gjatë një seance për një konflikt pronësie.

Dy persona të tjerë u plagosën, ndërsa për krimin u arrestua Elvis Shkambi, ndërsa për përkrahje të autorit u arrestua xhaxhai i tij, Gjon Shkambi. Akti tronditi sistemin e drejtësisë dhe pati reagime nga institucionet më të larta të shtetit.

-Krim i dyfishtë u regjistrua në 22 tetor, ku pas një sherri banal u vranë Flori Paluçi dhe Aranit Kurti. Ngjarja ndodhi jashtë një lokali në Manzë, ndërsa sherri nisi për një kafe.

-Një tjetër ngjarje e rëndë ishte ajo e ndodhur më 28 tetor, ku 42-vjeçari Keli Hoxha u vra nga Kristo Mema. Sherri nisi për kalin e autorit të dyshuar të krimit. Ky i fundit u arrestua pasi tentoi të arratisej.

-Po në këtë ditë, më 28 tetor, Filip Shehu, 41 vjeç, vrau kuzhinierin Indrit Ismaillari, 34 vjeç, i cili ndërroi jetë në spital pas goditjeve fatale me thikë.

-Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë pasoi atë ditë, ku 25-vjeçari Marjan Kodheli vrau me thikë në banesën e tyre babanë, Pjetër Kodhelin. Ndonëse tentoi të arratisej, ai u arrestua nga policia.

–Më 11 nëntor 2025 u regjistrua atentati në afërsi të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe agjenti i AMP-së, Muçi Shaliani (Sheqeri).

-Më 26 nëntor, në Durrës mbeti i plagosur pas një sherri për motive të dobëta 15-vjeçari Erion Boba. Ai ndërroi jetë në spital pas 9 ditësh, ndërsa një bashkëmoshatar u arrestua për krimin që zanafillën e sherrit e kishte në TikTok.

-Më 30 nëntor vritet në ambientet e biznesit të tij, brenda makinës Mondi Mëhalla, në Elbasan, krim për të cilin janë arrestuar disa persona. (Voxnews.al)