Gjykata e Lartë e Kosovës i ka shfuqizuar 13 ligje të premten, përfshirë Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke thënë se Kuvendi kishte bërë shkelje të rregullave kur i kishte kaluar ato dhjetorin e 2024-tës.

Në një njoftim për media, Gjykata Kushtetuese tha se ligjet në fjalë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit, pasi gjeti se ishin shkelur rregullat për qeverisjen, ndarjen e pushtetit, vlerat, ushtrimin e funksionit, rregulloren e punës dhe komisionet kur deputetët i kishin miratuar ato në Kuvend.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së parashtruar nga disa deputetë të partisë opozitare, Partia Demokratike të Kosovës (PDK).

Kjo është hera e dytë që Kushtetuesja e rrëzon Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pas vendimit të vitit 2024.

Pas vendimit të parë, Qeveria e atëhershme e kryeministrit Albin Kurti, bëri ndryshime në Ligj në shtator 2024 dhe më pas i dërgoi ato në Kuvend në dhjetor, ku deputetët e kësaj partie i miratuan.

Ligji synonte që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të kishte dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Kushtetuesja tha të premten në vendimin e saj se e shfuqizoi Ligjin për Byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.

Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

Ushtruesi i detyrës të ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, e kritikoi Kushtetuesen dhe tha se “përfundimisht mund të themi se, pavarësisht pengesave nga aktorë me qëllime të caktuara, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të fillojë këtë vit!”

“Është joligjore, joprofesionale dhe joetike, që një ligj kaq me rëndësi për luftimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publik të mbahet në sirtarët e Gjykatës me shumë se një vit vetëm për çështje procedurale! Vonesa të tilla, cenojnë kompetencat eksluzive kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në miratimin e ligjeve”, shkroi Sallahu në Facebook të premten.

Përveç atij për Byronë për konfiskimin e pasurisë, u shfuqizuan edhe 12 ligje të tjera për arsye të njëjta.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se 12 ligjet e miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor të vitit të 2024 “mund të jenë shumë të mira dhe të rëndësishme, por procedura e ndjekur ka qenë fatale për cenimin e procedurës parlamentare”.

Ai shtoi se Kuvendi i miratoi këto 12 ligje “përmes një procesi që cenoi demokracinë parlamentare dhe shtetin e së drejtës”.

12 ligjet e shfuqizuara
Ligji për Shërbimet e Pagesave; Ligji kundër dukurive negative në sport; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit; Ligji për provimin e maturës shtetërore; Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim; Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale; Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore; Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore; Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore; Ligji për Lojërat Mesdhetare.

Gjykata Kushtetuese tha se ligje të miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 janë jokushtetuese për shkak të shkeljeve procedurale gjatë procesit ligjbërës.

Për këto 12 ligje, miratimi në lexim të parë dhe të dytë brenda të njëjtës ditë pa shqyrtim të duhur nga komisionet parlamentarë cenoi parimet e ndarjes së pushteteve dhe sigurisë juridike, të garantuara nga nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës, tha ajo.

Gjykata theksoi se procedurat e përshpejtuara lejohen vetëm në raste urgjente si siguria kombëtare ose gjendja e jashtëzakonshme, por këto ligje nuk plotësonin këto kushte, duke rezultuar në mungesë transparence dhe parashikueshmërie.

Ajo erdhi në përfundim se Kuvendi nuk i respektoi afatet e Rregullores së Punës, duke miratuar ligje pa lejuar kohë të mjaftueshme për amendamente dhe debat parlamentar.

“Kjo shkelje e nenit 76 të Kushtetutës, i cili kërkon që Kuvendi të veprojë sipas rregullores së tij, pengoi deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre siç parashihet në nenin 74”, theksoi ajo.

Edhe për këto 12 ligje në Kushtetuese u ankuan deputetë të PDK-së./REL