Katër herë kampionia e botës, Gjermania, do ta ketë bazën e saj në Winston-Salem, Karolina e Veriut, gjatë Kupës së Botës në futboll të këtij viti, e cila do të organizohet bashkërisht nga Meksika, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara.

Ekipi gjerman, i shortuar në Grupin E së bashku me Ekuadorin, Kuraçaon dhe Bregun e Fildishtë, do të akomodohet në hotelin Graylyn Estate dhe do të stërvitet në ambientet e Universitetit Wake Forest, shumë pranë vendqëndrimit, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimeve.

Trajneri Julian Nagelsmann theksoi rëndësinë e kushteve logjistike. “Nga perspektiva e trajnerit dhe ekipit, gjëja më e rëndësishme është afërsia me fushat. Kemi tre fusha në gjendje të shkëlqyer që i arrijmë në këmbë ose me biçikletë në më pak se dhjetë minuta,” tha ai.

Gjermanët do të udhëtojnë nga Frankfurti drejt Çikagos më 2 qershor, ku do të zhvillojnë miqësoren e fundit para turneut kundër Shteteve të Bashkuara më 6 qershor, përpara se të zhvendosen në Winston-Salem.

Ndeshja e parë e Kupës së Botës për Gjermaninë do të luhet më 14 qershor në Hjuston kundër Kuraçaos. Më pas, ekipi do të udhëtojë drejt Torontos më 20 qershor për përballjen me Bregun e Fildishtë, ndërsa ndeshjen e fundit në grup do ta luajë më 25 qershor në Nju Jork kundër Ekuadorit.

“Për shkak të distancave të mëdha në SHBA, përpiqemi të shmangim sa më shumë udhëtimet e panevojshme në përditshmërinë tonë,” shtoi Nagelsmann. “Me këtë kamp bazë kemi gjetur kushte fantastike, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.”

Gjermania ka shpallur hapur synimin për të fituar Kupën e Botës, pas eliminimeve befasuese në fazën e grupeve në edicionet 2018 dhe 2022, me objektivin për të rikthyer reputacionin e saj si një nga fuqitë kryesore të futbollit botëror. “Panzerat” nuk kanë arritur një finale të madhe ndërkombëtare që nga triumfi i tyre i katërt në Botërorin e vitit 2014 në Brazil.

Kampi bazë i ekipit kombëtar francez gjatë Kupës së Botës, që do të zhvillohet së shpejti (11 qershor deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë) do të vendoset në Boston.

Këtë e konfirmoi presidenti Philippe Diallo në mesin e dhjetorit, në hapësirat e asamblesë së përgjithshme të Federatës Franceze të Futbollit.

Lajmi u zyrtarizua së fundmi: ekipi kombëtar i Francës do të qëndrojë në hotelin Four Seasons në kryeqytetin e Massachusetts dhe do të përdorë mjediset sportive në Babson College në Wellesley, në perëndim të qytetit.