Drejtoresha e Durana Tech Park, Florenca Haxhi, e ftuar në studion e televizionit Klan News, këtë të hënë, 12 janar, dha detaje mbi projektin për parkun e parë teknologjik dhe shkencor në Shqipëri, ku synohet të punësohen shumë të rinj shqiptarë.
Sipas drejtoreshës, ky projekt është një entitet 100 përqind publik, me aksioner Korporata e Investimeve Shqiptare. Aktiviteti sipas saj, lidhet me teknologjinë, robotikën, Inteligjencën Artificiale.
E pyetur se si lidhet ky projekt me teknikat e BE, Haxhi u shpreh:
“Qëllimi i ligjvënësve shqiptarë është që të japin një intesivë fiskale për të tërhequr vizitorë të huaj dhe për të punësuar më shumë të rinj nga kompani ndërkombëtare që do të krijojnë vende punësimi që mund t’i kemi në parkun tonë pa shkuar në vende të tjera për të punuar”.
Drejtoresha Florenca Haxhi tha se ky projekt që pritet të finalizohet në tre vitet e ardhshme do të ketë impakt në punësim dhe inovacion dhe do të mbyllë hendekun mes privatit dhe universitetit.
“Do të mbyllë hendekun mes privatit dhe universitetit. Ne kemi qenë në tryeza ku diskutohej si të afrojmë privatin me universitetin. Nëpërmjet Duranës ne kemi nevoja konkrete, kemi ofertën që del nga universiteti dhe kemi një mënyrë që mund të ndihmojmë, mund të kryejmë një seri kursesh në mënyrë që këta studentë që dalin nga universiteti të shkojnë drejt profileve që dalin nga kompanitë”.
Ajo shton se, siç theksohet në VKM, është marrë ky vendim për t’u operuar në dy faza, operimi virtual dhe pastaj ai hibrid.
Drejtoresha Haxhi, tregon më tej se kush mund të bëhet pjesë e këtij projekti teknologjik.
“Mund të bëhet pjesë çdo entitet. Mund të jetë kompani, një start up, universitet, si dhe nomadë dixhitalë”.
Sa i përket kritikëve, Haxhi u shpreh se është e pavend baltosja, pasi është projekt që i shërben shoqërisë shqiptare, punëson dhe tërheq projekte nga kompanitë ndërkombëtare.




















