Pas pazuës në fund të dhjetorit ekipet e “Sunday League” kanë zbritur në fushë për rifillimin e kampionatit.

Në Grupin A kalendari i ditës së djeshme rezervoi për javën e 10 – të një përballje të fortë, duke pasur parasysh renditjen, mes ekipit të Barrikadës dhe Lumineses. Këta të fundit vinin në këtë ndeshje me moralin lart pas fitores së Superkupës ndaj ATS-së. Ky ishte trofeu i dytë për Luminensen pasi seznin e kaluar fituan Kupën.

Ashtu siç ishte parashikuar në letër edhe në fushën e lojës u panë dy ekipe që luftuan deri në sekondën e fundit me dëshirën për të dalë me një rezultat pozitiv.

Tekniku Biba e kishte studiuar mjaft mirë kundërshtarin në përballjen e Superkupës teksa përgjatë gjithë lojës tregohet i kujdesshëm dhe mban të pa ndryshuar repartin e mbrojtjes me katër. Sheta e Sallufi (ky i fundit i rikthyer titulluar) në qendër dhe Maze e Giçi nga krahët, të cilët shpesh herë marrin inkursione për t’i ardhur në ndihmë sulmit, zbatojnë me përpikmëri detyrat e trajnerit. Thuajse përgjatë gjithë pjesës së parë Giçi i cili ka mjaft punë në krahun e djathtë duke u detyruar të mbyllë që në mesfushë inkursionet e kundërshtarit.

Që në minutat e para të takimit ekipet shpalosin dy filozofi të ndryshme sa i përket tentativave për gol. Barrikada tenton të konkretizojë brenda zonës me Mehmetllarin dhe Berberin, ndërsa Luminese tenton goditjet nga distanca por që gardiani Blloshmi është gjithmonë në gadishmëri duke shoqëruar çdo trajektore të topit me hedhje edhe kur tentativat janë jashtë kuadaratit apo ngjitur me shtyllën e portës.

Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. Deri në këtë moment të lojës bie në sy paraqitja e të kudogjendurit Neli, që shkatrron çdo aksion të kundërshtarit në mesfushë, dhe triblimet e benjaminit Bakaj i japin frymëmarrje ekipit.

Më i pakënaquri i interpretimit të pjesës së parë duket tekniku Biba i cili veç stërvitjes intensive nuk heziton të ngrejë zërin ndaj të tijëve. Ngritje zëri që e përkthen me zëvendësime. Për tifozët dhe vetë Bakajn duket i pakuptimtë lëvizja e Bibës por që në fund rezultati i dha të drejtë këtij të fundit.

Pjesa e dytë ofron të njëjtën panoramë por me Barrikadën me këmbëngulëse dhe me më shumë dëshirë për ta fituar ndeshjen teksa Biba kryen disa zëvendësime. Në mesfushë aktivizohet Bejzade. Ndërsa në repartin e sulmit trajneri bën zgjedhjen efikase teksa ndërron kokë më kokë Berberin me Gjokën. Të dy zëvendësimet rezultuan basti i fituar për Ardit Bibën.

Kur ndeshja u duk se do shkonte drejt shifrave 0 – 0, harkimi nga rivënia me dorë e Bejzades në zonë dhe akrobacia e Gjokës, i cili në minutën e 54′ me takë dërgon topin në rrjetë, i japin golin e avantazhit dhe fitoren Barrikadës.

Minutat e fundit nuk prodhojnë ndryshim rezultati dhe vërshëllima e arbitrit i jep tre pikët ekipit të Bibës që në 10 ndeshje regjistron 10 fitore.