Me Sir Alex Ferguson në tribunat e “Old Trafford”, Manchester United dominoi dhe fitoi 2-0 derbin kundër Manchester Cityt të Pep Guardiolës, teksa në stolin e “Djajve të Kuq” me tri pikë debutoi trajneri Michael Carrick i cili zuri vendin e të shkarkuarit Ruben Amorim.
Për raundin e 22-të të Premier League, elita e futbollit anglez dhuroi një prej ndeshjeve më emocionuese, ndërsa futbollistët nuk zhgënjyen në fushë. Gjithçka nisi me ritmin e vendasve dhe ishte Maguire që goditi traun e portës, ndërsa Donnarumma u duk i mposhtur. Gardiani italian ishte në lartësinë e detyrës dhe ndali Unitedin në disa raste, por të kuqve iu anuluan dy gola nga VAR në pjesën e parë për pozicon jashtë loje.
Fraksioni i dytë i ndeshjes u zhvillua me të njëjtën melodi dhe Donnarumma sërish bëri heroin, por kjo deri në minutën e 65-të, kur gjatë një kundërsulmi Bruno asistoi për Mbeumo që me të majtën e ndali sferën në rrjetë për të nisur festën e mbi 75 mijë tifozëve në stadium.
Man. City i Guardiolës u shokua dhe pa në sulm, por United u përgjigj me golin e dytë në minutën e 76-të. Cunha, i sapofutur në fushë asistoi për Dorgu dhe ky i fundit “vulosi” tri pikët me golin e dytë. Në fund Diallo mund të trefishonte shifrat, por topi u ndal sërish në shtyllë. Në shtesën e parë dhe me vetëm disa sekonda në fushë, Mason Mount ia doli të gjente golin e tretë, sërish me asistin e Cunha, por sërish VAR e anuloi për pozicion jashtë loje. Në fund United mori tri pikë falë fitores 2-0 kundër rivalëve të qytetit.
Pas tre barazimeve radhazi United ia del të sigurojë tri pikë dhe me 35 të tilla për momentin mban vendin e katërt, ndërsa ndeshjen e radhës do e ketë kundër kryesuesve të Arsenalit në Londër. Nga ana tjetër Man. City nuk di të fitojë dhe siguron barazimin e katërt radhazi.
Në ndeshjen e katërt si trajner i Man. United ( më herët në 2021 ka qenë si trajner emergjent), Michael Carrick siguron fitoren e tretë, pasi më herët ka mposhtur Villarrealin e Unai Emery, Arsenalin e Mikel Artetës dhe tanimë Man. Cityn e Pep Guardiolës. Nisje fantastike e tij në stolin e ekipit ku si futbollist fitoi 15 trofe.


















