Nga Fadil Nasufi 

Pas 15 vitesh: Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar!

Sot mbushen 15 vjet nga masakra shtetërore e 21 Janarit 2011, kur përballë Kryeministrisë dhe nga dritaret e zyrave të Selisë Qendrore të Qeverisë u qëllua me armë vdekjeprurëse drejt protestuesve paqësorë, të cilët po kundërshtonin korrupsionin e Qeverisë Berisha.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u përgjak, dhe plumbat e Gardës së Republikës i morën jetën Ziver Veizit nga Gjirokastra, Hekuran Dedës nga Dibra, Faik Myrtajt nga Fieri dhe Aleks Nikës nga Lezha.

Ndërkohë, dhjetra protestues të tjerë u plagosën nga plumbat, pa llogaritur pasojat helmuese dhe verbuese të gazit lotsjellës dhe përdorimin e mjeteve të tjera paralizuese ndaj qytetarëve protestues.

Zemërimi qytetar dhe revolta popullore ndaj Qeverisë Berisha kulmoi më 21 Janar 2011 në protestën gjithëqytetare, ku qeveria u kap në flagrancë për afera korruptive të bëra publike, në epiqendër të të cilave ishte Zv/Kryeministri Ilir Meta.

Një qeveri që nuk ka mbështetjen e popullit përdor mjetet e dhunës për të mbijetuar.
Një qeveri që ka frikë nga populli humbet arsyen.
Një qeveri që sundon dhe nuk shërben ngjall revoltë dhe mosbindje.
Një qeveri që e mbush kupën, populli e mbyt me përbuzje!

21 Janari 2011 nuk ishte një episod apo aksident tragjik i pavetëdijshëm. Ai ishte vazhdimësi e një qeverisjeje kriminale dhe e një Kryeministri me rekorde kriminale si Sali Berisha.

Si mund të harrohen mbi 3,000 jetë të humbura gjatë ngjarjeve të 1996–1997, kur shteti u shkatërrua nga rënia e firmave piramidale?
Si mund të mos ketë kujtesë fare, pa lëre të ketë drejtësi për 26 viktimat e Gërdecit?
Si mund të quhen thjesht kronika të zeza vrasjet e Haklajve, zhdukja e Remzi Hoxhës, vrasjet, rrahjet dhe barbarizmi ndaj gazetarëve, apo hakmarrja ndaj kundërshtarëve politikë që kryente regjimi i Sali Berishës?
Si mund të trajtohen si ngjarje të zakonshme protestat e dhunshme, djegiet e institucioneve, përdorimi i bombave molotov dhe shkatërrimi i pronës publike, kur frymëzues dhe organizator ishte Sali Berisha?

21 Janari ishte një pushkatim politik i kryer me vetëdije, i pohuar edhe në fjalimet publike nga vetë Sali Berisha.
Por edhe pas 15 vjetësh, ky krim shtetëror vijon të mbetet një plagë e hapur për familjet e katër dëshmorëve, për sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë shqiptare.

Sot përulemi para katër dëshmorëve të 21 Janarit: Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt. Jetët e tyre u bënë një kauzë e fuqishme për demokracinë dhe për shtetin e së drejtës. Nderimi dhe përkujtimi për ta mbeten forma më të fuqishme të drejtësisë, veçanërisht kur drejtësia vonon.

Të gjithë shqiptarët ndihen të lënduar dhe kanë ndërgjegje të trazuar kur shohin mosveprim të drejtësisë për të ndëshkuar vrasësit dhe fajtorët e këtij krimi shtetëror.
U rritën fëmijët e dëshmorëve, u plaken dhe kanë ndërruar jetë prindërit dhe të afërmit e tyre, disa familjarë vuajnë nga sëmundje të pashërueshme për shkak të dhimbjes për birin e humbur… por drejtësia ende vonon. Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar.

Epilog

Edhe unë isha pjesëmarrës në protestën e 21 Janarit 2011, së bashku me mbi 400 protestues nga Berati. Ishte një nga ditët më të vështira për të menaxhuar një situatë të paparashikueshme.

Protestues të lirë, me duar në xhepa, ngrohur vetëm nga solidariteti dhe pjesëmarrja e jashtëzakonshme e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria.

Gjatë marshimit në Bulevard u përballëm me makinat zjarrfikëse dhe ato me gaz lotsjellës, të cilat nuk lejonin të kalonim Uren e Lanës drejt Kryeministrisë. Ndërkohë, breshëritë e armëve nuk ndalonin, duke krijuar panik dhe kaos.

Shumë protestues u bllokuan nga frymemarrja, u lotuan syve, disa ranë në tokë. Filluam përkujdesjen ndaj njëri-tjetrit, ndërkohë që shpërndarja u bë e pakontrollueshme. Protestuesit, të irrituar nga dhuna dhe provokimi i forcave të policisë, marshuan drejt Kryeministrisë, ku barriera ndaluese ishte pranë kangjellave të godinës qeveritare.

Rreth orës 16:10 u përhap lajmi se kishte protestues të vrarë. Isha shumë pranë vendit ku u plagos Aleks Nika. E morën shokët në krah dhe po kërkonin makinë për ta dërguar në spital. Aty ishte makina e TV Klan për transmetim, por personeli u tha se nuk mund të ndërhynte për shkak të instalimeve dhe kabllove.

Djemtë e Lezhës me Aleks Niken e plagosur u larguan pasi erdhi një makinë që dikush kishte siguruar me urgjencë. Valbona Zylyftari më afrohet me lot në sy: “Aman, më gjej Ladin (kunatin Vladimir Zylyftari), nuk e di ku është… E ka zënë gjaku, tha, ka të vrarë para Kryeministrisë.”

Bona kishte të drejtë: Vladimiri ishte i goditur nga fatkeqësitë, sepse më parë, në maj 1996, i kishin vrarë djalin 9-vjeçar dhe në gusht 2000 kishte humbur vëllain, kolonel Arben Zylyftari. E gjetëm Ladin së bashku me disa shokë të tjerë. Porosita që beratasit të qëndronin bashkë.

Rreth orës 16:30 protesta u shpërnda, me bilancin tragjik të katër viktimave. Një gjendje shokuese!

Unë qëndroja së bashku me Tomorr Beqollarin dhe Jetnor Mahmutaj në këmbë, në trotuar tek kullat përballë Piramidës, duke pritur grumbullimin e protestuesve beratas për tek autobuzët. Forcat speciale erdhën me skafandra dhe shkopinj gome, duke sulmuar egërsisht. U futëm brenda kullave dhe shpëtuam, pasi disa djem hodhën sende dhe vazo me lule nga katet e sipërme drejt policisë. Qëndruam si ilegale deri sa morëm lajmin se bulevardi ishte boshatisur.

Telefoni nuk pushonte. U sigurova që autobuzat ishin nisur për në Berat. Ilir Oboni më njoftoi se Sokrat Gode ishte plagosur dhe e kishin dërguar në spital, por nuk dihej në cilin. Sokratit i kishte rënë bateria dhe nuk kishte sinjal.

Ime shoqe Luli, e cila ishte në momentet e para në protestë, u largua për tek Astiri tek vajza Ina, studente. Rreth orës 19 më mori në telefon një mjek nga Spitali “Nënë Tereza” dhe më tha se Sokrati ishte shtruar, jashtë rrezikut për jetën.

Bashkë me Lulin, Tomorrin dhe Jetnorin, pasi u siguruam për gjendjen e tij, u nisëm për në Berat dhe mbërritëm rreth orës 04:00 të mëngjesit të 22 Janarit. Në Uren Vajgurore takuam fëmijët e Sokratit, të cilët po shkonin drejt spitalit në Tiranë.

Mirënjohje për të gjithë protestuesit dhe mbështetësit e Partisë Socialiste, të cilët gjatë viteve 2005–2013, kur ishim në opozitë, u përballën me një pushtet të dhunshëm, kriminal dhe autokratik, duke ofruar një model opozite paqësore, me protesta të lira dhe me lule, dhe duke marrë mbrapsht nga shteti plumba dhe viktima.

Kurrë më ngjarje si 21 Janari 2011!