Nga Hermes Kafexhiu
Skandali Epstein nuk ishte thjesht një histori kriminale për abuzim dhe trafikim seksual. Ai ishte një pasqyrë e errët, e pakëndshme dhe brutale, që reflektoi fytyrën e vërtetë të një pjese të elitës politike, financiare dhe kulturore të Perëndimit. Një elitë që për dekada ka predikuar moral, demokraci, të drejta të njeriut dhe epërsi kulturore, ndërkohë që në prapaskenë mbante lidhje me rrjete pushteti të kalbura nga korrupsioni moral dhe shfrytëzimi.
Paradoksi është tronditës.
Të njëjtat qarqe që kanë ndërtuar narrativa globale mbi “terrorizmin islamik”, që kanë legjitimuar luftëra, sanksione dhe stigmatizime kolektive ndaj miliona myslimanëve në mbarë botën, rezultojnë të kenë qenë pjesë ose bashkëpunëtorë të një mjedisi ku abuzimi seksual i të miturve nuk ishte thjesht devijim individual, por një sistem i mbrojtur nga pushteti, paratë dhe ndikimi.
Për vite me radhë, opinioni publik perëndimor është ushqyer me imazhin e myslimanit si kërcënim kulturor, si rrezik për “vlerat perëndimore”, si simbol i prapambetjes për shkak të praktikave fetare, përfshirë mbulimin e grave apo strukturën tradicionale të familjes. Diskursi publik shpesh ka kaluar nga kritika ndaj ideve në stigmatizim të njerëzve duke i trajtuar besimtarët myslimanë jo si individë me të drejta, por si një masë e dyshimtë kolektive.
Ndërkohë, në zemër të qyteteve më të zhvilluara të botës, në qendrat e financës globale dhe në korridoret e politikës ndërkombëtare, zhvillohej një realitet shumë më i errët, rrjete ndikimi ku morali publik ishte vetëm fasadë. Dosja Epstein nuk ekspozoi një fe, një kulturë apo një komunitet të tërë. Ajo ekspozoi hipokrizinë e pushtetit.
Është thelbësore të bëjmë një dallim të qartë, krimet e disa individëve nuk përfaqësojnë të gjithë Perëndimin, ashtu siç krimet e individëve myslimanë nuk përfaqësojnë Islamin. Ajo që e bën skandalin Epstein politikisht dhe moralisht të rëndë është fakti se shumë nga ata që kanë ndërtuar ligjërimin moral global, që kanë imponuar standarde dhe kushte mbi të tjerët, rezultojnë të kenë funksionuar në një sistem ku përgjegjësia shpesh është shmangur falë statusit dhe lidhjeve.
Ky është paradoksi i madh, Perëndimi që promovon veten si model i transparencës dhe drejtësisë, përballet me prova se në nivelet më të larta të tij, drejtësia mund të deformohet nga pushteti. Jo sepse vlerat demokratike janë të rreme, por sepse ato shpesh janë përdorur në mënyrë selektive.
Kur myslimanët stigmatizohen kolektivisht për veprime të disa ekstremistëve, kjo quhet analizë sigurie. Kur elitat perëndimore përfshihen në skandale sistemike, kjo shpesh reduktohet në “raste individuale”. Kjo diferencë trajtimi është thelbi i standardit të dyfishtë që sot është më i dukshëm se kurrë.
Debati nuk duhet të kthehet në një garë viktimizimi apo në demonizim të ndërsjellë. Ai duhet të jetë një thirrje për koherencë morale. Nëse demokracia, të drejtat e njeriut dhe drejtësia janë vlera universale, atëherë ato duhet të aplikohen pa përjashtim edhe kur prekin bankierë të fuqishëm, politikanë të rangut të lartë, akademikë të famshëm apo figura të industrisë së kulturës.
Skandali Epstein nuk është një argument kundër Perëndimit si qytetërim. Ai është një akuzë ndaj arrogancës së elitave që kanë menduar se janë mbi ligjin dhe mbi moralin që predikojnë. Po aq, ai është një kujtesë se asnjë shoqëri nuk ka monopol mbi virtytin, ashtu siç asnjë fe apo kulturë nuk ka monopol mbi devijimin.
Në fund, paradoksi nuk qëndron vetëm në hipokrizi. Ai qëndron në faktin se ata që për vite kanë shitur moral global, rezultojnë të kenë nevojë për një reflektim të thellë mbi vetveten. Ndoshta kjo është mësimi më i madh i Dosjes Epstein, morali nuk është pronë e pushtetit, dhe as legjitimiteti nuk fitohet me retorikë, por me integritet.
Ndaj kur të flisni për myslimanët si një komunitet që duhet të mbahen në koordinata sigurie, apo për islamin që duhet të trajtohet si tezë fetare nxitëse, mos harroni dosjen Epstein dhe ato mijëra vajza të mitura të gjendura në ato skuta të errta të përdorura nga elita dhe ato mijëra të tjera që ende nuk kanë folur.




















