Gazetari sportiv Fatjon Baze ishte i ftuar në emisionin “KUBI Sportiv”, që transmetohet në Euronews, ku foli për çështjen më të komentuar të momentit, siç ishte rasti i penalltisë në ndeshjen Partizani–Elbasani, që përcaktoi fatin e takimit.
Gazetari theksoi se është e turpshme se si një arbitër vendosi se cila skuadër do të kalonte në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke akorduar një 11-metërsh të paqenë në minutën e fundit.
“E kam ndjekur gjatë gjithë 120 minutave ndeshjen e djeshme mes Partizanit dhe Elbasanit. Ishte një sfidë ku Partizani kishte më shumë mundësi për t’u kualifikuar në raundin gjysmëfinal, por deri në minutën e 119-të, kur arbitri vendosi praktikisht se kush do të kalonte më tej, ndodhi një rast flagrant.
E kam parë disa herë momentin e penalltisë që u akordua në favor të Elbasanit dhe, pa diskutim, ishte një vendim arbitrar dhe skandaloz i marrë nga gjyqtari Hamiti.
Vetëm një arbitër “nallban” mund ta jepte një penallti të tillë.
Nëse e sheh me vëmendje gjithë ecurinë e aksionit, është lojtari i Elbasanit ai që shkon me takën e ngritur drejt mbrojtësit të kuq, i cili në përpjekje për të larguar topin bën ndërhyrjen. Në rast se ajo goditje do të kishte prekur realisht këmbën e mbrojtësit të Elbasanit, ai nuk do të ishte në gjendje të vazhdonte lojën edhe për ato pak minuta që kishin mbetur deri në fund.
Pra, ishte një gjykim skandaloz dhe një vendim i turpshëm, i padenjë për një arbitër që mban edhe stemën e FIFA-s dhe që me vendimin e tij përcaktoi se cila skuadër do të luante në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Reagimet e Partizanit ndaj arbitrit Hamiti ishin të drejta, pasi nëse e ndjek gjatë gjithë këtij sezoni, Partizani është penalizuar vazhdimisht nga vendimet e tij.
Nuk e di nëse ky arbitër ka diçka personale ndaj ekipit të kuq, por jo vetëm në këtë ndeshje për kalimin në gjysmëfinale, por edhe në takime të mëparshme, Hamiti ka qenë shpesh vendimtar me gjykime kundër Partizanit. Nga ajo që kam parë, duket sikur ka një qasje negative ndaj këtij ekipi dhe është e vështirë të kuptohet se si ai u caktua sërish për të gjykuar një ndeshje kaq të rëndësishme.
Po aq i çuditshëm është edhe fakti që sistemi VAR nuk ndërhyri. Jo vetëm në rastin e penalltisë së diskutueshme, por edhe në një moment tjetër kur Partizanit iu mohua një gol i mundshëm, pasi mbrojtësi i Elbasanit e preku topin me dorë duke mos e lejuar atë të përfundonte në rrjetë.
Pa dyshim, përgjegjësia kryesore bie mbi Hamitin, i cili me vendimet e tij ndikoi drejtpërdrejt në fatin e ndeshjes dhe rrezikon të hedhë në erë gjithë sezonin e Partizanit. Por përgjegjësi kanë edhe arbitrat që ishin në sistemin VAR dhe nuk ndërhynë.




















