Rei Manaj humbet zyrtarisht ndeshjen kundër Polonisë, që do të luhet më 26 mars dhe është e vlefshme për “Play Off”-in e Botërorit.

Rezonanca magnetike që sulmuesi i Kombëtares ka kryer këtë të hënë ka konfirmuar një dëmtim muskulor të gradës së tretë në kofshën e majtë, çka e detyron të qëndrojë jashtë fushave të paktën për 2 muaj.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Sivasporit, ku aktivizohet 29-vjeçari.

Trajneri Silvinjo duhet të bëjë llogaritë për sfidën e Varshavës, pa sulmuesin titullar, por edhe me zëvendësuesit e tij jo në formën e duhur.

Mirlind Daku ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi, ndërsa Broja edhe pse u aktivizua pak minuta këtë fundjavë është larg formës optimale dhe mbi të gjitha aktivizohet në krahun e djathtë në skemën 4-3-3.

Nuk përjashtohet mundësia që trajneri të rikthejë në Kombëtare Indrit Tucin, Kristjan Shpendin apo Taulant Seferin, që po bëjnë mirë me skuadrat e tyre.

Nga futbollistët që janë pjesë e organikës rolin e sulmuesit 9 mund ta bëjë edhe Myrto Uzuni.

Silvinjo pritet që të publikojë listën e futbollistëve të grumbulluar këtë fundjavë.