Nga Alba Malltezi

Si lindi SPAK? SPAK dhe Drejtësia e ashtuquajtur e re lindën si një dëshirë e jashtëzakonshme, e brendshme e shqiptarëve për Drejtësi. Kur, kjo farë e rrallë, e ruajtur mes zemrës dhe kraharorit të popullit tonë, përherë ekzistente por për vite e vite e fjetur, shpërtheu e papërmbajtur dhe me një energji të pashterueshme? Këtu vlen një reflektim i shpejtë: Pasi ra Diktatura, pasi menduam se ëndrrat po merrnin rrugën e tyre të drejtë përtej kafazit të imponuar nga pseudokomunistë e pseudosocialistë të fshehur nën diktaturën e proletariatit e të etur për privilegje vetjake që qartazi nuk mund t’i kishin të gjithë, lindën të tjerë hileqarë. Këta janë hileqarët e demokracisë. Të cilët, nën petkun e “E Duam Shqipërinë si gjithë Europa”, Europën e mbushën me apartamentet e blera prej tyre me ëndrrat që jua grabitën shqiptarëve. Në të gjitha format dhe mënyrat. Bankat europiane, kirurgët estetikë europianë, butikët europianë, hotelet luksoze europiane, shkollat europiane u pushtuan nga hileqarët tanë të demokracisë. Dhe kjo vazhdon të ndodhë sikur të ishim vendi më i pasur arab me një kastë pronarësh pusesh nafte nga e cila pasuria buron pa fund.

Dëshira e shqiptarëve për Drejtësi doli nga shpirti i të gjithëve gradualisht. Atëherë kur prokurorë e gjykatës bënin parada me orët e tyre prej floriri, bizhuteri e çanta me çmime disafish më të larta se rrogat e tyre vjetore. E kemi harruar atë kohë? Kur viktimat shkonin në prokurori e polici dhe ishte njësoj sikur të ankoheshin tek dhunuesi i tyre?

Po përtej materiales, ashtu siç ndodh natyrshëm me babëzinë, vijnë katastrofa që tejkalojnë veset e durushme. Pas babëzisë, vijnë vrasjet. Babëzia e hileqarëve të demokracisë kur tejkalon çdo kufi të imagjinueshëm dhe arrin deri në Hënë, ajo ua kthen me tragjedi.

Këto ditë të përkujtimit të Masakrës shtetërore të Gërdecit, Geraldo Durda, djali i Zamira Durdës dhe vëllai i Edisonit 7 vjeçar që u përcëllua nga flakët e fabrikës së demontimit të armëve do të përsëriste: “Po bëjmë durim, kemi besim te Drejtësia, po tregojmë qytetari”. Po! Familja Durda po tregon qytetari duke pritur sot e 18 vjet që të akuzuarit kryesorë në atë tragjedi të bëjnë qetësisht udhëtimet e tyre jashtë shtetit duke shtyrë seancat gjyqësore pafundësisht. E të tjerë, fshehur mes urdhërave, baxhanakëve, përfitimeve, të privilegjohen nga… Hileqarët e Demokracisë./Shqiptarja.com