Është zhvilluar këtë të mërkurë tryeza për energjinë me pjesëmarrjen e të gjitha aktorëve lidhur me ndryshimet ligjore të propozuara për përafrimin e legjislacionit të sektorit me atë të Bashkimit Europian.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi i pranishëm në tryezën për energjinë, tha se takimi i sotëm është vlerësuar që të jetë pak më e gjerë dhe me përfshirjen edhe të partnerëve, por siç e thashë edhe të Kuvendit, Komisionit përgjegjës për Energjinë, por edhe institucioneve tjera, si Enti Rregullator i Energjisë, kompanitë publike, por edhe kompanitë private.
“E vlerësojmë si një hap shumë të rëndësishëm, edhe konsulentët do të flasin në fund përsa i përket të gjitha komenteve që janë marrë, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent dhe sa më gjithëpërfshirës”, u shpreh ai.
Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tryeza për energjinë
Në vijim të procesit të rëndësishëm të hartimit dhe draftimit të ligjit të ri të sektorit të energjisë elektrike, kjo nismë përfaqëson një nga elementet kryesore të reformës së sektorit të energjisë elektrike. Ky proces, i hartimit të ligjit të ri të sektorit, që në fakt ju e shikoni këtu në termin “Për disa shtesa dhe ndryshime”, por besoj që për shkak të volumit të madh të ndryshimeve, patjetër do vijë si një nismë e re ligjore, vjen në kuadër të përafrimit të legjislacionit kombëtar me të drejtën e Bashkimit Europian dhe përmbushjen e detyrimeve tona në kuadër të kapitullit 15 të Bashkimit Europian të Energjisë.
Patjetër që edhe në kushtet e sotme, të gjitha masave që ka marrë Qeveria Shqiptare për integrimin europian, hapjen e të gjithë kapitujve dhe punën shumë voluminoze që çdo institucion i qeverisë shqiptare po ndërmerr në kuadër të integrimit europian, edhe ky ligj vjen si një hap shumë i rëndësishëm. Ai nuk synon vetëm përditësimin e kuadrit ekzistues ligjor të sektorit të energjisë elektrike, por mbi të gjitha ka qëllimin e vendosjes së themeleve për një model të ri zhvillimi të funksionimit të tregut të energjisë elektrike në vendin tonë. Një model më i hapur, më konkurrues, më fleksibël dhe më të integruar në tregjet rajonale.
Kjo është tryeza e dytë që bëjmë. Një tryezë e mëparshme është bërë një tryezë më teknike. Tryeza e sotme është vlerësuar që të jetë pak më e gjerë dhe me përfshirjen edhe të partnerëve, por siç e thashë edhe të Kuvendit, Komisionit përgjegjës për Energjinë, por edhe institucioneve tjera, si Enti Rregullator i Energjisë, kompanitë publike, por edhe kompanitë private. E vlerësojmë si një hap shumë të rëndësishëm, edhe konsulentët do të flasin në fund përsa i përket të gjitha komenteve që janë marrë, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent dhe sa më gjithëpërfshirës.
Ndërhyrjet që sjell ky ligj, në fakt janë të thella dhe janë një element pothuajse rikonceptim i gjithë funksionimit të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri.
Së pari, ky ligj sjell një riformatim të modelit të tregut të energjisë elektrike. Largohemi dhe tentojmë të largohemi sa më shumë nga një model i centralizuar, ku aktorët shtetërorë kanë patur vendimmarrjen më të madhe, drejt një tregu më të liberalizuar, ku shteti nuk ndërhyn më aq shumë sa jemi mësuar me modelin ekzistues dhe bazë e saj të jetë konkurrenca. Dhe në fakt kushtet aktuale të tregut për ligjin, kur është miratuar ligji aktual në fuqi në vitin 2015, tregu i energjisë elektrike ishte shumë më i ndryshëm nga tregu që kemi sot. Pra, prodhuesit e energjisë elektrike ishin kryesisht hidrikë, ishin kryesisht me kontrata koncesionare, me blerje energjie nga shteti. Ndërkohë, tregu i energjisë sot është në një fazë komplet tjetër. Sot tregut i janë shtuar burime të reja energjie, i janë shtuar burime kryesisht fotovoltaike, që përbëjnë rreth 10% të prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike. Janë shtuar konsumatorët aktiv, kemi rreth 400 mega vetëprodhues, kemi dhe instrumente të reja, që deri para pak vitesh as që mendoheshin, siç është krijimi, themelimi dhe funksionimi i ALPEX-it.
Siç e thashë, në këtë model ne riorientohemi drejt garantimit të rregullave të lojës, drejt një konkurrence të ndershme, midis të gjithë aktorëve të përfshirë në proces. Një nga risitë e këtij ligji, është përfshirja e koncepteve të reja që madje për disa do thoja shumë të dëshiruara nga aktorët e kësaj tavoline, siç është depozitimi i energjisë, energy storage. Sot depozitimi i energjisë hyn tek kërkesat më madhore, që kanë prodhuesit e energjisë, kryesisht dhe të energjisë së rinovueshme.
Cili është problemi i energjisë së rinovueshme? Është shumë i mirë, por është jo e vazhdueshme. Krijimi i bazës ligjore për pasjen e storage apo depozitimit, është një hap i ri përpara drejt qëndrueshmërisë së tyre. Por jo vetëm kaq. Kemi koncepte të reja, si klientët aktivë. Unë e thashë, sot është realitet që kemi vetëprodhues pothuajse 400 mega. Jemi vendi i parë në rajon përsa i përket vetëprodhuesve. Por po përpiqemi që të krijojmë klientët që të jenë sa më aktivë përsa i përket energjisë së tyre të prodhuar, si me anë të koncepteve, si agregimi, komunitetet e energjisë, komunitetet energjetike, por dhe siç e thashë, mekanizma fleksibiliteti përsa i përket kapaciteteve gjeneruese.
Një ndër shtyllat kryesore të këtij ligji është fuqizimi i konsumatorit. Për herë të parë konsumatori vendoset realisht në qendër të sistemit energjetik. Ai nuk është vetëm një përfitues shërbimi, por mund të jetë edhe prodhues. Sot është realitet. Ne kemi klientë që janë prodhues dhe në këtë kuptim, duke përafruar direktivën e re të Bashkimit Europian, edhe klienti merr rolin proaktiv përsa i përket prodhimit të energjisë. Përmes konceptit të klientit aktiv, komuniteteve energjetike dhe kontratave me çmime dinamike, krijohen mundësi reale për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe bizneseve në treg dhe për liberalizimin apo demokratizimin e sektorit të energjisë elektrike.
Po ashtu, projektligji krijon bazën për zhvillimin e tregjeve të organizuara të energjisë elektrike. Tregu i ditës në avancë, tregu brenda ditës, tregu i balancimit dhe tregu i derivative përbëjnë mekanizma thelbësorë për funksionimin modern të sektorit. Këto tregje mundësojnë formimin transparent të çmimeve, pra optimizimin e prodhimit dhe konsumit, si dhe menaxhimin e riskut nga pjesëmarrësit e tregut.
Një vëmendje shumë e veçantë i është kushtuar fleksibilitetit dhe balancimit të sistemit. Ne e dimë që sot, si në të gjitha vendet, ku tashmë ka hyrë në masë prodhimi i energjisë së rinovueshme, fleksibiliteti dhe balancimi i sistemit merr një vëmendje shumë të madhe dhe pikërisht projektligji i adreson këto nevoja përmes rregullimit të energjisë dhe kapacitetit të transmetimit, sigurimit të kapaciteteve rezervë dhe mekanizmave si ridispeçerimi, duke garantuar stabilitetin e sistemit në çdo moment.
Një dimension tjetër, po aq i rëndësishëm, është integrimi rajonal dhe ndërkufitar. Projektligji përfshin rregulla të qarta për alokimin e kapaciteteve ndërkufitare, për funksionimin e zonave të ofertave dhe për bashkëpunimin me strukturat rajonale. Ky integrim rrit sigurinë e furnizimit, përmirëson efikasitetin e tregut dhe e vendos Shqipërinë si pjesë aktive të tregut rajonal dhe europian. Këto nuk janë vetëm detyrime që ne kemi marrë kundrejt Bashkimit Europian, por janë edhe masa konkrete që ne kemi marrë gjatë gjithë këtyre viteve. Tashmë është realitet që ALPEX-i funksionon në Shqipëri dhe në Kosovë. Është po ashtu realitet që Operatori i Sistemit të Transmetimit po ndërmerr veprime për bashkëpunim ndërkufitar, si me Maqedoninë e Veriut apo vende të Bashkimit Europian, siç është edhe Greqia, pra janë përkthim i punëve, të cilat ne i kemi nisur dhe që na çojnë më afër Bashkimit Europian. Dhe në këtë kuadër, në fakt, projektligji reflekton edhe zhvillimet më të fundit teknologjike dhe kërkesat për tranzicionin energjetik.
Përfshirja e depozitimit të energjisë apo elektromobilitetit dhe sistemeve të matjes inteligjente, është një tregues i qartë i orientimit drejt një sistemi energjetik të digjitalizuar, fleksibël dhe me emetime të ulëta. Këto elemente janë thelbësore për të përmbushur objektivat tona afatgjata për një ekonomi të qëndrueshme dhe në fakt një pjesë e mirë e gjithë këtyre elementeve tashmë janë në ecuri e sipër.
Është fakt që Qeveria Shqiptare është në faza shumë të avancuara për marrjen e një huaje me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, për të instaluar matësit inteligjentë në gjithë Shqipërinë, apo projekte të rëndësishme që ka marrë si Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, si Operatori i Sistemit të Transmetimit për zhvillimin dhe operimin e scadave të tyre apo ndërveprimin e nënstacionit.
Po aq i rëndësishëm, në fakt është edhe ngritja e kapaciteteve dhe rritja e forcimi i institucioneve, ku siç ju e dini mjaft mirë, rol kyç në këtë projektligj merr forcimi i rolit të Entit Rregullator të Energjisë. Në këtë reformë ERE merr një rol më të zgjeruar nga çfarë e ka patur deri tani dhe në fakt edhe më të rëndësishëm. Ne të gjithë e dimë rolin, pavarësinë dhe funksionalitetin e Entit Rregullator të Energjisë, ligji i ri i zgjeron ato, duke i dhënë kompetenca mjaft të rëndësishme, përsa i përket zhvillimit të rregullave të tregut, monitorimin dhe funksionimin e këtyre rregullave dhe në garantimin e konkurrencës. Ndarja e qartë nëpërmjet legjislacionit primar dhe atij sekondar krijon një sistem më fleksibël, ku një pjesë e madhe e akteve rregullatore që kërkon ky ligj tashmë kalojnë për miratim pranë Entit Rregullator të Energjisë.
Të gjitha këto ndërhyrje së bashku sigurojnë një nivel të lartë përafrimi me të drejtën e Bashkimit Europian dhe përmbush detyrimet tona dhe angazhimet tona në kuadër të Komunitetit të Energjisë. Por çfarë është më e rëndësishmja, ato krijojnë një kuadër të besueshëm dhe të parashikueshëm për investitorët dhe për të gjithë aktorët e tregut.
Si pjesë e këtij procesi konsultimi janë mbledhur dhe analizuar në mënyrë të detajuar mendimet dhe sugjerimet e paraqitura nga palët e interesuara. Në vijim të këtij procesi gjatë kësaj tryeze, po ashtu, do të prezantohet edhe vlerësimi ynë mbi këto komente. Pra, ne do të kemi në këtë takim edhe konsulentët që na kanë ndihmuar për hartimin e projektligjit dhe për të folur edhe në mënyrë të detajuar përsa i përket komenteve që kemi marrë dhe reflektimeve të tyre.
Ne mendojmë se ky është një hap shumë i rëndësishëm për të garantuar transparencë, gjithëpërfshirje dhe cilësi në hartimin e legjislacionit, si dhe për të siguruar që ky projektligj të jetë sa më i zbatueshëm dhe i qëndrueshëm në praktikë. Në këtë kuadër, ju ftojmë që të vijoni të kontribuoni në mënyrë aktive në diskutime, veçanërisht në çështje që lidhen me trajtimin e komenteve dhe aspekteve teknike të këtij projektligji.
Në përfundim, dua të theksoj se ky projektligj përfaqëson një moment shumë kyç për sektorin energjetik të Shqipërisë. Ai vendos themelet për një treg modern, konkurrues dhe të integruar, duke orientuar sektorin drejt standardeve evropiane dhe drejt një të ardhme më të qëndrueshme.




















