Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Đurić, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026.

Në një postim në platformën “X”, Hoxha bëri të ditur se bisedimet u përqendruan në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit konkret, me theks të veçantë në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.

Sipas tij, këto marrëdhënie vlerësohen si të rëndësishme për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe stabilitetit në rajon. Hoxha gjithashtu theksoi se ka mirëpritur gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shqipërisë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc.

Në deklaratën e tij, ministri shqiptar nënvizoi edhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal si rruga më e besueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke theksuar nevojën për të lënë mënjanë retorikat e panevojshme dhe joproduktive.

Shqipëria, sipas Hoxhës, mbetet e përkushtuar për të forcuar qartësinë e qëndrimeve në politikën e jashtme, si dhe për të rritur kontaktet mes qytetarëve, me synimin për të kultivuar një brez të ri me vizion evropian.

Ai gjithashtu bëri të ditur se palët pranuan ekzistencën e qëndrimeve të ndryshme sa i përket çështjes së Kosovës. Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për rëndësinë e dialogut Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si rrugën e vetme të qëndrueshme drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.