Teksa data për zgjedhjen e liderit të ri të Partisë Demokratike po afron, situata brenda partisë shfaqet e trazuar.

Një tjetër anëtar është tërhequr nga radhët e Partisë e shkak për këtë mësohet se janë bërë proceset zgjedhore dhe organizative në këtë degë.

Referuar një mesazhi të shpërndarë gjerësisht në rrjet, i fundit që është larguar nga partia mësohet se është kryetari i degës së PD Fier, Rrapi Gjika, i cili ka shfaqur zhgënjimin e tij përzgjedhjen e drejtuesve të grupit të punës për proceset zgjedhore dhe organizative në këtë degë.

Në mesazhin e tij, Gjika thekson se në krye të këtij grupi është emëruar Ardian Ferro, i cili, sipas tij, ka qenë prej shumë kohësh ka kundërshtuar Rithemelimin. Më tej, Gjika thekson se ai nuk u pyet në lidhje me ndryshimin e bërë duke shtuar se në drejtimin e degës po vendosen persona që kanë qenë kundër rithemelimit dhe kundër Sali Berishës.

Teksa e cilëson këtë vendim si “turp që bie erë”, Gjika shprehet se këto janë pjesë e pazareve të gatuara nga pazarexhinj që merren me punë të pista.

Mesazhi i plotë i Rrapi Gjikës:

Të nderuar kolegë drejtues të PD Fier,

Sot ndihem më i zhgënjyer se kurrë ndonjëherë dhe më vjen keq për këto fjalë që do të them, por jam i detyruar nga situata që po krijohet dhe nga ky njoftim i papritur dhe i turpshëm që është dërguar.

Unë, siç edhe ju e dini, jam zgjedhur me votat tuaja dhe jam munduar ta bëj punën sa më mirë. Jam përpjekur të jap më të mirën time. Ndoshta edhe mangësi kam pasur dhe mund të kishim punuar më mirë, por e rëndësishme është se kam dhënë maksimumin tim dhe e kam bërë punën me zemër, pasi jam demokrat i orëve të para dhe me kontribute të vazhdueshme në PD.

Për të mirën e PD-së dhe për rinovimin e saj, unë vetë pranova dhe ju thashë ndër të tjera se nuk duhet të kandidoj më për kryetar dege, për t’i hapur rrugë të rinjve dhe për rinovimin e partisë, nisur edhe nga rezultati i dobët i zgjedhjeve të 11 majit, i cili nuk ishte për fajin tonë, por i atyre që bënë listat dhe drejtuan fushatën. Gjithsesi, do të vazhdoja të kontribuoja dhe të drejtoja PD Fier edhe për procesin zgjedhor deri në fund, si në çdo degë tjetër të vendit, për të qenë mbi palët dhe i barabartë për të gjithë.

Unë nuk kam dhënë dorëheqjen, pasi as nuk më është kërkuar ta jap. Po të më kërkohej, do ta bëja. Kam thënë që nuk do të kandidoj më, për të ndihmuar partinë dhe kolegët që do të kandidonin. Këtë ia kam bërë të ditur edhe deputetit të Fierit, anëtarit të Kryesisë së PDSH-së dhe ish-kryetarit të degës Fier, Luan Baçi, për të cilin nuk e kuptoj pse hesht tani pas këtij njoftimi.

Vendimi i Kryesisë së PD-së për komandimin si kryetar i PD Fier, pa pyetur askënd, i një personi që më parë bërtiste nëpër rrugë “poshtë non grata” dhe që tani do të drejtojë apo do të kandidojë, apo do të mbështesë atë që kanë përgatitur prej kohësh me pazare me të, është i padrejtë dhe një veprim i pandershëm. Është një turp që bie erë.

Aq më tepër kur në krye të degës po vendosen njerëz që kanë qenë kundër rithemelimit dhe kundër Sali Berishës, që na shqyen derën e PD-së, na morën zyrat, na shanin çdo ditë duke na thënë se jeni të gjithë “non grata”, ndërkohë që ne i bënim mbledhjet nëpër lokale, ndërsa ata rrinin në zyrat tona.