Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me sulmin brutal ndaj ish-nënkryetarit të PD-së për njësinë administrative Dajç, Sokol Toma, i cili mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e kaluar në aksin Mamurras–Laç.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja është regjistruar rreth orës 22:00 në zonën e Sanxhakut, ku 53-vjeçari dyshohet se është sulmuar nga disa persona të maskuar. Autorët e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime serioze në pjesë të ndryshme të trupit.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se Toma ka pësuar fraktura në të dyja këmbët, ndërsa njëri prej veshëve i është prerë gjatë dhunës së ushtruar ndaj tij. Ai ndodhet i shtruar në pavijonin e ortopedisë, nën kujdesin e mjekëve.
53-vjeçari është gjetur rastësisht nga kalimtarë në gjendje shoku dhe me plagë të shumta në trup. Pas ndihmës së parë, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa motivet e sulmit mbeten ende të paqarta. Hetuesit po verifikojnë kamerat e sigurisë në zonë dhe po marrin në pyetje persona që mund të kenë dijeni mbi lëvizjet e autorëve.










