Sapo mori fjalën në Kuvend (këtë herë pa u penguar nga Niko Peleshi), Ulsi Manja iu përgjigj kryetarit duke thënë se tashmë po i kërkon falje me mikrofon. Manja tha se ndjesa e tij e mëparshme pa mikrofon kur “i uli gradat” s’mund të dominohet nga cinizmi me mikrofon.
“Z. kryetar i Kuvendit, meqë qëparë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia për t’iu përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën të kërkoja edhe ndjesën me mikrofon se të ula gradat që ke dhe preferove që në vend të ndjesës publike simes pa mikrofon të dominojë cinizmi yt me mikrofon. Dua të të kujtoj se fuqia e ndjesës pa mikrofon është shumë më e fortë sesa cinizmi i kujtdo në këtë sallë. Unë e njoh rregulloren e Kuvendit dhe sigurisht nuk lejohet replika, por e drejta për të ndryshuar radhën në mirëkuptim me kolegët dhe ju, ekziston. Ju nuk e patët këtë mirëkuptim dhe e mirëkuptoj sepse nuk është e lehtë të përballesh me një dinozaur politik si Sali Berisha që ka 40 vjet që mbijeton në politikë me mjetet që di të përdorë më mirë: intrigën, presionin, baltën, shpifjen, shantazhin, shto tani në fund edhe gradën shkencore non grata. Që të përballesh me këtë nuk të vjen në ndihmë rregullorja e Kuvendit sesa rregullorja jote”, tha Manja










