Presidenti i Republikës Bajram Begaj përgëzoi forcat politike shqiptare që bashkuan votat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Menjëherë pasi opozita dhe mazhoranca miratuan në seancën parlamentare Rezolutën për Integrimin Evropian, Kreu i Shtetit reagoi me nje mesazh, përmes të cilit çmoi bashkëpunimin politik për këtë proces të rëndësishëm.

“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE është përgjigjja e duhur ndaj Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe ndaj Raportit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian”, – u shpreh Presidenti i Republikës.

Kreu i Shtetit u shpreh se kjo rezolutë shënon qasjen e vetme të drejtë: atë të bashkëpunimit, kompromisit dhe konsensusit për arritjen e këtij objektivi strategjik kombëtar.

“Ajo është dëshmi e pakundërshtueshme e një politike serioze dhe të përgjegjshme, të fokusuar plotësisht në agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social”, – theksoi Presidenti i Republikës në mesazhin përshëndetës ndaj konsensusit politik shqiptar.

Mesazhi i plotë i Presidenit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, për Rezolutën parlamentare për Integrimin e Shqipërisë në BE:

“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE është përgjigjja e duhur ndaj Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe ndaj Raportit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.

Kjo rezolutë shënon qasjen e vetme të drejtë: qasjen e bashkëpunimit, kompromisit dhe konsensusit për arritjen e këtij objektivi strategjik kombëtar.

Ajo është dëshmi e pakundërshtueshme e një politike serioze dhe të përgjegjshme, të fokusuar plotësisht në agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social.

Përshëndes këtë akt të çmuar të bashkëpunimit parlamentar”.