Nga Hamdi Jupe
Pas shumë ditësh proteste ne bulevard në Tiranë dhe jashte saj anekend Europes, u muar vesh qartë. Në Shqiperi ekziston tanimë një elektorat as mavi, as blu, as gri. Nuk ështe ende e qartë se çfarë ngjyre ështe, por dihet se ështe kundër establishmentit aktual politik. Ata janë shqiptarë dhe bij shqiptarësh dhe kërkojnë ndryshime radikale në shoqëri.

Kjo dihej edhe më parë nga zgjedhjet e fundit lokale (Lexo: “Po vjen Altin Qori” në gazetën “Panorama”) dhe ato të fundit parlamentare. Ajo u rikonfirmua në mënyrën më të qartë tani në protestën në bulevard. Por çfarë vjen më pas? Duket se drejtuesit e protestës nuk e kanë fort të qartë këtë, prandaj ata kanë nevojë për leksione demokracie. Mësimi vjen duke lexuar Kushtetutën dhe ligjet.

Ata kërkojnë ndryshimin, por ndryshimi ka rregulla. Ju lutem, hiqeni nga përdorimi juaj i përditshëm sloganin “revolucion” që dëgjohet në protestë. Nuk ka më revolucion, domethënë nuk ka prerje kokash në demokraci, harrojeni Robespierin dhe Komunën e Parisit. Në demokraci ka vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ato tregojnë realisht se sa ju vlen lëkura. Vlera juaj reale del nga kutitë e votimit.

A është e përgatitur kjo lëvizje të hyjë në zgjedhje të parakohshme? Jo, nuk është e përgatitur. Që të hysh në zgjedhje, duhet të krijosh parti politike. Vetëm këto mund të hyjnë në zgjedhje dhe vetëm pasi të kalojnë tre muaj kohë nga regjistrimi në gjykatë. Formalitete ligjore, por ja që nuk bën dot pa to. Demokraci do të thotë shtet ligjor.

Kurthi më i madh vdekjeprurës për këtë lëvizje, do të ishte sikur kryeministri Edi Rama t’i kërkonte Presidentit të Republikës shpërndarjen e parlamentit aktual dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare brenda 45 ditësh, siç e thotë Kushtetua. Kjo do ta kapte lëvizjen e bulevardit në befasi “me brekë nëpër këmbë”. Ajo nuk do të mund të hynte fare në ato zgjedhje të parakohshme për arsyet që thamë më lart dhe atëhere, i gjithë entusiazmi revolucionar i saj do të shkonte për dhjamë qeni. Zgjedhjet do t’i fitonte përsëri Edi Rama. Rama mund ta bëjë këtë kur t’i dojë qejfi, nëse ju vazhdoni me axhamillëkun tuaj. Vetëm se i dhimsen ato 35 milonë Euro të taksapaguesve shqiptarë që do të kushtonin zgjedhjet e panevojshme. Na rroftë pra, protesta bulevardeske.

Imediate për këtë lëvizje është hartimi i programit dhe i statutit të partisë së re me ide të qarta për të ardhmen, mbledhja e firmave përkatëse dhe regjistrimi i saj në gjykatë. Lereni bulevardin të qetë. Mbaroi faza e bulevardit, ka ardhur koha e Kushtetutës dhe e ligjeve. Nëse nuk i kanë vetë njohuritë e mjaftueshme në këtë fushë, le t’u drejtohen atyre qe dinë: juristëve dhe ekspertëve të tjerë të fushës.

Programi dhe statuti do t’i pastrojë shumë gjëra të papëlqyeshme, perversitete të protestave të deritanishme, duke ndarë shapin nga sheqeri dhe duke e bërë seroze atë në sytë e zgjedhësve shqiptarë. Ndryshe, janë të mbaruar, edhe pse të rinj në moshë. Këtë kanë bërë studentët në dhjetor të vitit 1990. Le të mësojnë prej tyre. Dëgjomëni mua, që po rropatem prej 36 vjetësh monopateve të thikta të politikës shqiptare.

Mos lejoni t’ju futin nën obrellat e tyre të shkarravitura partitë e vjetra që zunë myk ndër tempuj dhe as ato të reja të dështuara, si pemë pa kokrra. Ju nuk jeni ingranazhe për të shtyrë me zor përpara paaftësinë e tyre politike. Ju pretendoni të jeni tjetër gjë.

Zgjedhjet e radhës në Shqipëri janë ato për qeverisjen vendore, që zhvillohen pas një viti. A është e përgatitur kjo lëvizje për të hyrë në ato zgjedhje dhe të fitojë mjaftueshëm vota, sa për t’u bërë faktor politik në vend? Jo, nuk është, por mund të bëhet. Prandaj ka shumë punë për t’u kryer deri atëhere dhe koha një-vjeçare për në zgjedhjet lokale nuk është aleate e tyre. Ajo ikën shumë shpejt, prandaj duhet vrapuar, por me mendje në kokë. Ju lutem, ju dua shumë, mos kërkoni zgjedhje të parakohshme, se dilni si rruar – qethur prej tyre. Jeni akoma axhaminj në këtë fushë. Burrërohuni.