Hoxha pritet nga ministrja e Jashtme e Irlandës, Shqipëria drejt hapjes së ambasadës në Dublin
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është pritur në Dublin nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë e Irlandës, Helen McEntee, në një takim ku në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për thellimin e dialogut politik dhe zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të përbashkët.
Sipas tij, palët ranë dakord të eksplorojnë mundësi të reja bashkëpunimi në ekonomi, tregti, investime, turizëm, shërbime digjitale dhe inovacion. Ministri shqiptar vlerësoi gjithashtu rolin e diasporës shqiptare në Irlandë, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të takimit ishte njoftimi për hapjen e afërt të Ambasadës së Shqipërisë në Dublin. Hoxha informoi homologen irlandeze mbi vendimin e qeverisë shqiptare për të ngritur përfaqësinë diplomatike në kryeqytetin irlandez, duke e konsideruar këtë hap si një moment të rëndësishëm për thellimin e partneritetit dypalësh.
Gjatë bisedimeve, ministri shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe integrimit të Shqipërisë në BE, ndërsa ndau edhe zhvillimet më të fundit mbi ecurinë e negociatave të anëtarësimit.
Në takim u diskutuan gjithashtu çështje rajonale dhe ndërkombëtare, ku të dyja palët riafirmuan angazhimin për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës, duke nënvizuar rëndësinë e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e së ardhmes evropiane.










