Gazeta TemA i është drejtuar Zyrës së Marrëdhënieve Publike të Ambasadës së SHBA në Tiranë për të kërkuar një konfirmim zyrtar mbi deklaratën e bërë nga PD në media, sipas së cilës, pas një bisede telefonike rreth 15-minutëshe me ambasadën amerikane, Sali Berisha është informuar se masat ndaj tij, përfshirë statusin “non grata” në Shtetet e Bashkuara, janë hequr.

Në përgjigje të interesimit të Gazetës TemA, Zyra e Marrëdhënieve Publike e Ambasadës së SHBA na referoi te Zyra e Marrëdhënieve me Shtypin të Departamentit Amerikan të Shtetit për një përgjigje mbi këtë çështje. Deri në momentin e publikimit, TemA nuk ka marrë ende një përgjigje.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, njoftimi për përcaktimin publik të Sali Berishës për përfshirje në korrupsion domethënës vijon të jetë i aksesueshëm publikisht. Po ashtu, deri tani nuk rezulton të ketë një njoftim të ri publik nga Departamenti i Shtetit që të konfirmojë heqjen e këtij përcaktimi.

Në mungesë të një konfirmimi zyrtar, rrethanat e bëra publike deri më tani lënë të kuptohet se mund të bëhet fjalë për një lehtësim të mundshëm të procedurave të vizës për pjesëmarrje në një aktivitet ndërkombëtar, dhe jo domosdoshmërisht për heqje të statusit “non grata”.

Gazeta TemA do të pasqyrojë çdo përgjigje zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit sapo ajo të mbërrijë.