Nga Ardi Stefa
Errore humanum est!
Njerëzit gabojnë. Politikanët dështojnë. Të tjerë gënjejnë.
Ekziston edhe një kategori më vete, mashtruesi patologjik. Ai nuk gënjen për të shpëtuar nga një situatë e vështirë; ai gënjen sepse nuk mund të jetojë pa gënjeshtrën. Për të, e vërteta është armik, ndërsa mashtrimi është mënyrë jetese.
Kur një politikan kalon vite duke ndërtuar narrativa të rreme, duke shpallur komplote imagjinare, duke fajësuar gjithmonë të tjerët dhe duke mos marrë asnjëherë përgjegjësi për veten, ai humbet kapitalin më të rëndësishëm që mund të ketë një njeri publik: besueshmërinë.
Prandaj statusi “non grata” nuk është vetëm një vendim diplomatik apo politik.
Ai është një pasojë morale e një sjelljeje të gjatë politike. Mund të ndryshosh deklaratat. Mund të ndryshosh aleatët. Mund të ndryshosh fjalët. Por nuk mund të ndryshosh me lehtësi perceptimin që ke krijuar për veten pas dekadash manipulimi.
Fatkeqësia është kur mashtruesi patologjik fillon të besojë edhe vetë gënjeshtrat që prodhon. Kur e sheh veten si viktimë edhe kur është përgjegjës. Si shpëtimtar edhe kur ka kontribuar në krizë. Si simbol të demokracisë edhe kur ka luftuar kundër çdo standardi demokratik brenda partisë së tij.
Sa më shumë përpiqet të bindë njerëzit se shpallja “non grata” ishte e padrejtë, madje nuk kishte qenë shpallur asnjëherë i padëshiruar, aq më shumë forcon perceptimin se e gjithë karriera e tij politike ishte një betejë personale për hallin e vet dhe jo për interesin publik. Çdo premtim për rinovim politik bie ndesh me faktin se prej vitesh e gjithë energjia e opozitës rrotullohet rreth fatit të një njeriu të vetëm dhe ruajtjen e establishmentit.
Një njeri mund të rehabilitohet nga shumë gjëra në jetë. Mund edhe t’i hiqet me para një përcaktim. Mund të falet për gabime, për dështime apo për vendime të këqija. Por rehabilitimi fillon me pranimin e së vërtetës.
Dhe e vërteta fillon me administrimin e vendimit dhe mënyrën që do të zgjedhë për të “ndihmuar” opozitën.
Kur e vërteta mohohet çdo ditë dhe zëvendësohet me një tjetër mashtrim, atëherë nuk ka reflektim, nuk ka pendesë dhe nuk ka ndryshim.
Pikërisht për këtë arsye, për mashtruesin patologjik vlen një rregull i thjeshtë: një herë “non grata”, përjetë “non grata”. Jo për një vulë në një dokument, por për shkak të vulës që ai vetë i ka vënë karakterit të tij politik.










