Raporti përfundimtar i PS për reformën Territoriale parashikon katër skenarë se si mund të konfigurohet harta e bashkive nisur nga zgjedhjet e ardhshme lokale, por jo një numër fiks të këtyre njësive.

Në dokumentin prejn 357 faqesh, nuk ka të përfshirë asnjë hartë apo numër bashkish të propozuara nga PS-ja.

Raporti nis me një parathënie të bashkëkryetarit socialist, Arbër Mazniku, argumentohet se përse harta e miratuar 12 vjet më parë, duhet të ndryshohet.

“Shqipëria e sotme nuk ka më të njëjtën shpërndarje të popullsisë dhe të aktivitetit ekonomik që kishte kur u përcaktua ndarja aktuale administrative. Disa zona janë rritur, ndërsa të tjera kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Një numër bashkish përballen me vështirësi për të siguruar financa të qëndrueshme, staf të kualifikuar dhe kapacitete të mjaftueshme administrative. Për këtë arsye, harta ekzistuese duhet vlerësuar përballë realitetit të ri demografik, ekonomik dhe funksional të vendit”, thotë Mazniku në parathënien e tij.

Sa i përket katër skenarëve, në raport thuhet se ato parashikojnë që nga decentalizimi asimetrik që është skenari me numrin aktual të bashkive, te bashkimet e mëdha që ushtrojnë të gjitha funksionet; bashkime të shkallës së mesme dhe rialokim i funksioneve plotësuese si dhe skenari me bashki të fokusuara vetëm te funksionet bazë.

“Pavarësisht skenarit që do të zgjidhet, analiza identifikon tri prioritete të përbashkëta reforme: (i) qartësimi i alokimit të disa funksioneve që formalisht u janë caktuar bashkive, por ushtrohen pjesërisht ose de facto nga nivele të tjera; (ii) qartësimi i ndarjes së kompetencave në funksionet ku qeverisja qendrore luan rol të rëndësishëm; dhe (iii) forcimi e ridizajnimi i sistemit të barazimit fiskal, pasi diferencat në kapacitet fiskal vazhdojnë të ndikojnë ekzekutimin dhe disa funksione mbeten të nënfinancuara”, thuhet në raport.

Një tjetër pikë e rëndësishme e dokumentit të PS-së është lidhja mes bashkimit të bashkive dhe automonisë fiskale.

“Nuk mjafton vetëm të bashkohen bashki, as nuk mjafton vetëm të rriten burimet financiare. Reforma duhet të zgjidhë njëkohësisht problemin e madhësisë, problemin e burimeve dhe problemin e kostos reale të shërbimeve. Nëse bashkohen dy ose më shumë bashki që kanë të ardhura të ulëta, ekonomi të dobët dhe varësi të lartë nga transfertat, rezultati do të jetë një bashki më e madhe në territor, por jo domosdoshmërisht më e fortë financiarisht. Pra, bashkimi mund të ulë disa kosto administrative, por nuk krijon vetvetiu bazë të re tatimore”, vijon më tej raporti.

Sa i përket varësisë nga fondet e qeverisë, Tirana konsiderohet me e varur vetëm 22%, Vlora dhe Saranda 25% dhe Durrësi 39%, ndërkohë që bashkitë që janë shumë të varura nga qeveria janë Hasi 1.053%, Pusteci 1.099% dhe Këlcyra 1.255%.