Celia Bernhardt – Wall Street Journal
LinkedIn, platforma e njohur për rrjetëzimin profesional, po fiton një përdorim të pazakontë: gjithnjë e më shumë beqarë po e përdorin për të njohur persona të rinj dhe, në disa raste, për të nisur marrëdhënie romantike.
Lodhja nga aplikacionet tradicionale të takimeve online po i shtyn disa përdorues të kërkojnë alternativa. Një prej tyre është LinkedIn, ku fotografitë profesionale, informacioni mbi karrierën, arsimin dhe interesat e një personi ofrojnë një pasqyrë më të gjerë se profilet tipike të aplikacioneve të takimeve.
Sipas një sondazhi të kryer nga Zety, rreth një në katër profesionistë beson se përdorimi i LinkedIn për qëllime romantike mund të jetë i pranueshëm. Ndërkohë, 22% e të anketuarve thanë se ose i janë drejtuar dikujt, ose i janë përgjigjur një personi në LinkedIn me synim romantik.
Nga një kërkesë profesionale në një histori dashurie
Një prej rasteve është ai i Rachel Wong dhe Sam Sawchuck.
Sawchuck i dërgoi Wong një kërkesë për t’u lidhur në LinkedIn, duke i thënë se kishin miq dhe kolegë të përbashkët dhe se do të donte të pinin një kafe. Ai i tregoi gjithashtu se fillimisht e kishte parë në Tinder.
Wong fillimisht nuk ishte e sigurt nëse bëhej fjalë për një takim romantik. Megjithatë, pasi kolegët e saj i dhanë një vlerësim pozitiv Sawchuck dhe pasi ajo pa profilin e tij profesional, vendosi ta pranonte kërkesën.
LinkedIn po kthehet në një platformë lidhjesh, pavarësisht
Ajo e nisi komunikimin duke i kërkuar ndihmë për një çështje pune. Marrëdhënia më pas evoluoi dhe sot çifti po përgatitet për martesë.
“Nëse ishte LinkedIn, le të ishte LinkedIn. Ka qenë lidhja më e mirë që kam krijuar ndonjëherë”, tha Wong.
Platforma nuk e miraton flirtin
Pavarësisht rasteve të tilla, LinkedIn nuk e konsideron platformën si vend për afrime romantike.
Një zëdhënës i kompanisë tha se fokusi i saj është të garantojë që përdoruesit të jenë të mbrojtur nga afrimet romantike të padëshiruara.
Megjithatë, disa ekspertë të takimeve thonë se LinkedIn mund të përdoret si një mënyrë indirekte për të njohur dikë, për sa kohë që komunikimi mbetet i respektueshëm dhe nuk shndërrohet në ngacmim.
Profili profesional si “dosje” për një takim
Për disa të rinj, LinkedIn po shërben edhe si një mjet për të kontrolluar paraprakisht personin që mund të kenë përballë.
Katie Istomin, studente në Cornell, tregon se ajo dhe miqtë e saj shohin profilet e personave që mund t’u interesojnë, duke kontrolluar degën e studimit, aktivitetet universitare dhe përfshirjen në organizata.
Sipas saj, profili profesional mund të japë një ide për ambiciet dhe objektivat e një personi.
Por LinkedIn ka edhe një veçori që mund ta bëjë këtë “hetim” të vështirë për t’u fshehur: platforma mund t’i njoftojë përdoruesit kur dikush ka parë profilin e tyre.
Edhe rekrutimi mund të përfundojë në një takim
Një tjetër histori nisi krejtësisht profesionalisht.
Amal Hagisufi i dërgoi një kërkesë Moustafa Madkaur pasi po kërkonte një punonjës për ekipin e saj. Madkaur fillimisht nuk ishte i interesuar, pasi zyra ndodhej rreth 40 minuta larg.
Më vonë, ai e pa Hagisufin në një aplikacion takimesh dhe u kthye te profili i saj në LinkedIn. Pasi pa përshkrimin e karrierës dhe objektivat e saj profesionale, vendosi t’i shkruante sërish.
Këtë herë, jo për vendin e punës.
Ai i la numrin e telefonit dhe i tha se nuk ishte i interesuar për pozicionin, por se e kishte parë në një aplikacion takimesh dhe do të donte të dilnin së bashku.
Ata u takuan në një restorant pranë ujit dhe biseduan për objektivat profesionale, financiare dhe personale. Sipas Hagisufit, shumë prej synimeve të tyre përputheshin.
Një simptomë e lodhjes nga aplikacionet e takimeve
Fenomeni i LinkedIn-it si hapësirë për njohje romantike shihet si pjesë e një tendence më të gjerë: beqarët po kërkojnë alternativa ndaj aplikacioneve tradicionale të takimeve.
Takimet përmes aktiviteteve të përbashkëta, eventeve, klubeve sportive, miqve të përbashkët dhe komuniteteve profesionale po fitojnë terren.
Në këtë realitet, LinkedIn ofron diçka që shumë aplikacione takimesh e kanë humbur: më shumë informacion mbi personin përpara takimit.
Megjithatë, kufiri mes rrjetëzimit profesional dhe interesit romantik mbetet i ndjeshëm. Një kërkesë për lidhje mund të jetë thjesht profesionale, ndërsa për një tjetër person mund të jetë fillimi i një historie dashurie.
Në fund, duket se edhe në botën e karrierës mund të ndodhë ajo që përdoruesit e aplikacioneve të takimeve kërkojnë prej kohësh: një “lidhje” që funksionon.










