Bëhet fjalë për performancën anormale prej 17 golash në një sezon të vetëm, të regjistruar me fanellën e Real Madridit në edicionin 2013/14.
Ndryshimi i skemës së kompeticionit dhe futja e fazës së ligës ka krijuar një terren të ri për sulmuesit. Me formatin e ri, një ekip që arrin deri në finale mund të luajë deri në 17 ndeshje, duke e bërë rekordin e portugezit teorikisht shumë më të arritshëm.
Kush janë “vrasësit” që po i afrohen këtij pragu historik?
Kylian Mbappé: Sulmuesi francez shënoi 15 gola sezonin e kaluar, ndonëse Reali u ndal në gjysmëfinale. Me një nisje fantastike në La Liga (4 gola në 4 ndeshje), atij i duhen vetëm dy gola më shumë në Europë për të barazuar legjendën portugeze.
Erling Haaland: Norvegjezi mbetet një kërcënim permanent. Pasi shpërtheu në skenën e madhe që në kohën e Salzburgut, sezonin e kaluar regjistroi 8 gola në Champions dhe 30 të tjerë në kompeticionet e tjera. Tani, në moshën 26-vjeçare dhe në kulmin e pjekurisë sportive, ai e ka nisur sezonin europian me marshin e pestë, duke realizuar një dygolësh kundër Portos.
Harry Kane: Makineria e golave të Bayernit ka regjistruar shifra dyshifrore në dy sezonet e fundit të Champions-it. Vjet shënoi 14 herë në Europë dhe plot 61 gola në të gjitha kompeticionet. Nëse e mban këtë ritëm, emri i tij do të jetë pretendenti kryesor për të rishkruar historinë.
Raphinha: Braziliani po kalon një formë shpërthyese. Zhvendosja e tij në rolin e sulmuesit qendror e ka transformuar para portës, me 6 gola në vetëm 4 javët e para të kampionatit. Për të kapur Ronaldon i duhet një mesatare prej më shumë se një goli për ndeshje, por nisja është më se premtuese.
Ousmane Dembélé: Francezi është rikthyer në protagonistin absolut të PSG-së nën drejtimin e Luis Enriques. Ndonëse në kampionat nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës këtë sezon, dygolëshi i mbrëmshëm në fitoren tenistike 6-1 ndaj Slovanit tregoi se ai është gati për të lënë gjurmë.
Mali prej 17 golash i Cristiano Ronaldos mbetet ende i frikshëm, por me ndryshimin e skemës së Ligës së Kampionëve dhe këtë kalibër golashënuesish në qarkullim, ky rekord nuk konsiderohet më një mision i pamundur.










