Fort Knox, kompleksi i fortifikuar në shtetin e Kentakit, ku ruhen rreth gjysma e rezervave të arit të qeverisë amerikane, është sinonim i sigurisë maksimale. Shprehja “si Fort Knox” përdoret për të përshkruar diçka që është jashtëzakonisht e sigurt dhe e mbrojtur mirë. Megjithatë perceptimi i Shteteve të Bashkuara si një vend i sigurt për ruajtjen e arit duket se po zbehet.

Vendimi i fundit i bankës qendrore holandeze për të zhvendosur rreth 86 tonë ar nga Nju-Jorku në Londër nxori në pah shqetësimet në rritje të disa qeverive lidhur me ruajtjen e aseteve strategjike në SHBA-të dhe nëse ato do të mund të ishin lehtësisht të aksesueshme në rast krize.

De Nederlandsche Bank (DNB) përmendi “paqëndrueshmërinë gjeopolitike” si arsye dhe tha se shpërndarja e arit në vende me juridiksione të ndryshme do të përmirësonte “gatishmërinë për kriza”.

Edhe Franca hoqi të gjithë arin e saj që kishte mbetur në Rezervën Federale të Nju-Jorkut midis korrikut 2025 dhe janarit 2026. Megjithatë guvernatori i Bankës së Francës, François Villeroy de Galhau, deklaroi në atë kohë se vendimi nuk kishte motive politike.

Ndërkohë, disa politikanë në Gjermani dhe Itali, vende që zotërojnë respektivisht rezervat e dyta dhe të treta më të mëdha të arit në botë, kanë kërkuar që edhe ari i vendeve të tyre të tërhiqet nga SHBA-të. Këto thirrje vijnë mes shqetësimeve për politikën e paparashikueshme të administratës Trump dhe qëndrimit gjithnjë e më kritik të saj ndaj Bashkimit Evropian, përfshirë kërcënimet për të aneksuar një pjesë të territorit të tij në Grenlandë.

Sebastien Tillett, analist në Oxford Economics, thotë se për bankat qendrore evropiane, sekuestrimi i drejtpërdrejtë i aseteve të tyre përbën një “rrezik jashtëzakonisht të vogël”. Megjithatë, sipas tij, po shtohen shqetësimet për mundësinë e qasjes së shpejtë te këto asete në një epokë pasigurie gjeopolitike.

“Shqetësimi më i rëndësishëm është se asetet e mbajtura në një juridiksion tjetër mund të bëhen përkohësisht të paarritshme në një skenar ekstrem sanksionesh, problemesh ligjore ose krizash gjeopolitike”, tha ai për DW.

Krishnan Gopaul nga Këshilli Botëror i Arit (World Gold Council) thotë se, në përgjithësi, bankat qendrore në mbarë botën kanë blerë gjithnjë e më shumë ar që nga kriza financiare globale e vitit 2008 dhe po i kushtojnë vëmendje në rritje vendit dhe mënyrës së ruajtjes së tij. Si rezultat çmimet e arit kanë arritur nivele rekord.

Një sondazh i fundit i Këshillit Botëror të Arit tregoi se bankat qendrore kanë shtuar mesatarisht 1 mijë tonë ar në vit gjatë katër viteve të fundit, krahasuar me një mesatare prej 500 tonësh në vit gjatë dekadës së mëparshme.

Sipas Gopaul kriza financiare globale e vitit 2008 u pasua nga kriza e borxhit sovran në eurozonë, më pas nga një sërë krizash politike, pandemia dhe trazira të vazhdueshme gjeopolitike e konflikte. Kjo ka bërë që ari të fitojë rëndësi të re si një aset i sigurt në kohë pasigurie.

“Gjatë dy dekadave të fundit kanë ekzistuar, në forma të ndryshme, pyetje dhe shqetësime lidhur me sistemin financiar global dhe gjendjen e gjeopolitikës”, thotë ai.

Zhvendosja e arit proces kompleks, i rrezikshëm dhe i kushtueshëm

Vendimet e Holandës dhe Francës për të zhvendosur arin e tyre nga SHBA-të drejt Evropës tregojnë se tani vëmendja është përqendruar jo vetëm te sasia e rezervave, por edhe te vendndodhja e tyre, në mënyrë që ato të mund të përdoren shpejt dhe lehtë në rast të një krize të re.

Bankat qendrore, qeveritë dhe fondet sovrane të pasurisë mbajnë rezerva fizike ari në vende të ndryshme. Zhvendosja e tij mund të jetë një proces shumë kompleks, i rrezikshëm dhe i kushtueshëm, ndërsa mundësia për ta shitur ose shkëmbyer me valuta apo asete të tjera varet shpesh nga vendi ku ruhet.