Në çdo fushatë elektorale, Aleksandar Vuçiç nuk i ndahet Kosovës dhe kështu po ndodh edhe këtë herë. Ndërsa Prishtina është ngritur në këmbë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin me një total prej 81 vitesh burg, presidenti serb po e përdor sërish këtë çështje për të viktimizuar Serbinë dhe akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta. Por jo vetëm kaq, të dielën ai hodhi paralele mes reagimit të serbëve ndaj Ratko Mlladiçit dhe shqiptarëve të Kosovës ndaj ish komandantëve të UÇK-së, duke akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta.
“Ne u kritikuam dhe nuk pati njeri në Evropë që të mos reagonte për faktin se u zhvillua funerali i Ratko Mlladiçit, sikur funerali të mund të shmangej. E dinin se ai po vdiste, por nuk donin ta linin të vdiste në vendin e tij, pranë familjes dhe njerëzve më të afërt. Pastaj nisi një ortek sulmesh. Mesazhi që na jepej atëherë ishte se vendimet e gjykatave nuk duhet të mohohen. Por më pas, kur erdhi vendimi për Thaçin dhe të ashtuquajturit drejtues të tjerë të UÇK-së, të gjithë e dënuan atë. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Prishtina, absolutisht të gjithë, jo vetëm që e kundërshtuan, por thanë se ishte e turpshme, e tmerrshme… Dhe nuk pati asnjë reagim nga Evropa apo nga bota. Asnjë reagim. Vetëm që ta shihni se në çfarë bote hipokrite jetojmë”, tha Vuçiç.
Para vizitës në Nju Jork, Vuçiçi tha se Kosova do të jetë një nga temat kryesore të fjalës së tij. Ai pretendoi se Serbia është trajtuar padrejtësisht gjatë dekadave të fundit, duke kujtuar dorëzimin e të akuzuarve serbë në Tribunalin e Hagës.










