Presidenti amerikan Donald Trump do të presë këtë javë në Washington presidentin kinez Xi Jinping, në një takim që zhvillohet në një moment kur marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha në botë mbeten të tensionuara.
Vizita e Xi në SHBA nis të mërkurën dhe është e para e tij në Washington prej 10 vitesh. Ky do të jetë takimi i tretë mes dy liderëve që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithëse nuk pritet ndonjë marrëveshje e madhe, të dyja palët synojnë të mbajnë një dialog të qëndrueshëm dhe të shmangin një përshkallëzim të ri të tensioneve.
Nga lufta tregtare te një konkurrencë më e kontrolluar
SHBA-të dhe Kina kanë ulur tensionet e luftës tregtare të vitit të kaluar, kur vendosën tarifa shumë të larta ndaj njëra-tjetrës. Megjithatë, konkurrenca mes tyre vazhdon.
Të dyja vendet po përdorin masa më të fokusuara, si kufizimet ndaj kompanive dhe produkteve të caktuara, në vend të tarifave të gjera që rrezikojnë të dëmtojnë tregtinë globale.
SHBA-të synojnë të ruajë avantazhin teknologjik dhe ekonomik, ndërsa Kina po përpiqet të forcojë pozicionin e saj në ekonominë dhe rendin global.
Inteligjenca artificiale, një tjetër front përplasjesh
Një nga çështjet kryesore mes dy vendeve është inteligjenca artificiale (AI).
SHBA-të kanë kufizuar eksportin drejt Kinës të çipave më të avancuar që përdoren për zhvillimin e AI-së dhe ka akuzuar disa kompani kineze se kanë përdorur modele amerikane për të zhvilluar teknologjitë e tyre.
Pekini i ka kundërshtuar këto masa, duke akuzuar SHBA-të se po përpiqen të kufizojnë zhvillimin e industrisë kineze të AI-së.
Megjithatë, mes dy vendeve ka edhe përpjekje për bashkëpunim. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se Washingtoni ka propozuar një mekanizëm për njoftimin e incidenteve të lidhura me AI-së që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.
Irani dhe Tajvani, dy çështje të tjera të vështira
Në takimin Trump-Xi pritet të diskutohen edhe çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë Iranin dhe Tajvanin. Administrata Trump po përpiqet të izolojë Iranin ekonomikisht, ndërsa Kina vazhdon të mbajë marrëdhënie tregtare me Teheranin. Kina është blerësi më i madh i naftës iraniane dhe një nga partnerët kryesorë tregtarë të Iranit.
Washingtoni deri tani ka treguar kujdes në vendosjen e masave të reja ndaj Kinës për marrëdhëniet e saj me Iranin, në mënyrë që të mos dëmtojë takimin mes Trump dhe Xi.
Një tjetër pikë e nxehtë mbetet Tajvani, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj, ndërsa SHBA-të kanë detyrime ligjore për të ndihmuar ishullin të forcojë kapacitetet e tij të mbrojtjes.
Takimi në Washington zhvillohet kështu në një klimë ku SHBA-të dhe Kina po përpiqen të mbajnë marrëdhëniet të qëndrueshme, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdojnë konkurrencën për tregtinë, teknologjinë dhe ndikimin global.
Xi në Washington pas 10 vitesh, katër çështjet e ‘nxehta’ në tryezën e Trump-it










