Regjisori Mevlan Shanaj sjell në vëmendje një nga tragjeditë e historisë së artit shqiptar gjatë regjimit komunist, përmes fatit të artistëve dhe intelektualëve që, pavarësisht kontributit dhe angazhimit të tyre, përfunduan viktima të sistemit të cilit dikur i kishin shërbyer ose besuar.

Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, Shanaj ndalet te historitë e Viktor Stratobërdhës, Mihal Luarasit, Kujtim Spahivoglit, Petro Markos dhe Mandi Koçit, duke risjellë në vëmendje burgosjet, përndjekjet dhe shkatërrimin e jetëve të tyre, si dhe fatin e familjeve të prekura nga represioni.

Përmes dëshmive historike dhe një shembulli familjar, regjisori përshkruan klimën e frikës dhe pasigurisë së asaj kohe, kur as kontributi në luftë dhe as bindjet politike nuk garantonin mbrojtje nga ndëshkimi i regjimit.

Reagimi i plotë i Mevlan Shanaj:

SISTEMI QË HËNGRI BIJTË E VET

Në historinë e artit shqiptar ka një grup artistësh, pionierë të ekranit dhe të artit skenik, jeta e të cilëve dëshmon se si një sistem, për të cilin kishin luftuar, punuar apo besuar, u kthye kundër vetë bijve të tij.

Viktor Stratobërdha, Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli, Petro Marko dhe Mandi Koçi (MAK) janë emra që, në forma dhe rrethana të ndryshme, përjetuan përplasjen tragjike me regjimin komunist.

Disa prej tyre kishin marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të tjerë kishin besuar te idealet e komunizmit. Por angazhimi i tyre nuk i mbrojti nga përndjekja, burgimi, përjashtimi apo shkatërrimi i jetës personale dhe profesionale.