Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti këtë të mërkurë në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneralmajor Stephen E. Osborn.
Duke i uruar mirëseardhje, Kurti e falënderoi Gjeneralmajorin Osborn për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkrahjen e vazhdueshme në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.
Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vyer dhe plot dobi të Gardës Kombëtare të këtij shteti amerikan për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të përqendruar në trajnim profesional, edukim e lidership ushtarak dhe planifikim operacional e logjistik. Ndërsa tha se në këtë rast partneriteti i Republikës së Kosovës është i dyfishtë, me Ajovën si një dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si tërësi.
Kryeministri Kurti dhe Gjeneralmajor Osborn biseduan për hapat e parë dhe tejet të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, sikurse për situatën e sigurisë në vend e rajon dhe u dakorduan për rolin kyç të Republikës së Kosovës në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.










