Në funksion të arritjes së një marrëveshjeje për reformën zgjedhore, forcat politike u ulën mesditën e sotme në një tryezë bisedimesh, për një nga kushtet e Bundestagut për çeljen e negociatave. Të pranishëm në tryezë janë Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, përfaqësues i Partisë Socialiste, bashkëkryetarja tjetër e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari, përfaqësuese e opozitës parlamentare, si edhe dy të mandatuarit e opozitës së bashkuar, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili. Ndërkohë që janë zbardhur edhe konkluzionet e tryezës ku palët kanë rënë dakord se reforma zgjedhore miratohet jo më vonë se 15 mars dhe se aty ku mungon konsensusi, ndërhyn OSBE/ODIHR.
Konkluzionet e takimit
1.Formohet Këshilli Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend.
2.Këshilli mblidhet brenda muajit janar 2020 dhe autorizon platformën e punës së procesit të Reformës Zgjedhore, si më poshtë:
–Një përfaqësi politike (2 persona) nga opozita jashtëparlamentare dhe ekspertë të saj do të punojnë me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e atashuar pranë tij.
–Çështjet që do adresohen përcaktohen në vendimin e Kuvendit Nr.102/2017, i amenduar, “Për ngritjen e komisionit të Reformës Zgjedhore” përfshirë dhe planin e punës të miratuar me konsensus nga Komisioni në vitin 2017, si dhe çdo problematikë tjetër zgjedhore, që palët bien dakord me konsensus, me qëllim arritjen e standardeve ndërkombëtare.
-Palët e përfshira të angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve objekt i punës së Komisioni të Reformës Zgjedhore, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE/ODIHR me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.
-Për të ndihmuar në këtë proces Komisioni i Reformës Zgjedhore do të kërkojë zyrtarisht asistencën e OSBE/ODIHR, përgshirë dërgimin e ekspertëve nëse kjo është e mundur, që do të bashkëpunojë me përfaqësuesit politikë dhe ekspertët e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, me qëllim për të lehtësuar procesin procesin e disktimit dhe hartimit të projekt- propozimeve përkatëse.
-Projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti, do të miratohet nga Kuvendi në përputhje me procedurat parlamentare. Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në seancë plenare në tekstin e miratuar dhe dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti .
-Palët angazhohen që Reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020.