Nga Edi Rama*
Para së gjithash, dua ta nis duke falënderuar nga zemra paraardhësin tim, ministrin Miroslav Lajčák dhe duke përgëzuar ekipin sllovak për kryesimin shembullor të organizatës sonë gjatë vitit të fundit posaçërisht sfidues.
Jemi mbledhur sot për të filluar punën e OSBE-së për vitin 2020 e për të shënuar fillesën e kryesisë shqiptare dhe jam besimplotë se rruga që është shtruar nga kryesia sllovake do të na shërbejë si një referencë siguridhënëse , ndërkohë që do të jetë detyra e Shqipërisë, shoqëruar nga Suedia e Sllovakia, të bashkërendojë përpjekjen tonë kolektive për t’u përballur me sfidat e përbashkëta. Jemi në shoqëri të mirë!
Meqë po flasim për shoqërinë e mirë, më lini t’ju sjell në vëmendje këtë moment të jashtëzakonshëm për vendin tim. Dyzetepesë vjet më parë kur u krijua OSBE-ja, Shqipëria ishte thjesht e vetme – një Kore Veriu e vërtetë e Evropës – një shoqëri e izoluar me kokëfortësi dhe e ushqyer pa pushim me urrejtjen kundër botës së lirë. Akoma më tepër, Shqipëria ishte i vetmi shtet që, jo vetëm refuzoi të ishte pjesë e OSBE-së, por edhe e denoncoi krijimin e saj që në atë moment, si shembull i qartë i thënies “thellimi i degjenerimit moral të anëtarëve të saj”.
Asokohe, isha 11 vjeç, një pionier me shallin e kuq në qafë dhe sot jam Kryeministri i Shqipërisë që ju drejtohet të gjithëve ju shkëlqesi të nderuara si kryetari i radhës i kësaj organizate prej 57 vendesh e më shumë se 1 miliardë banorësh, nga Vankuveri në Vladivostok. Çfarë jete për brezin tim në një periudhë të jashtëzakonshme transformimesh historike për botën.
I ulur sot në këtë karrige, nuk mund të mos nderoj ata që luftuan me ç’mundën, që përjetuan dhimbje të tmerrshme, që vdiqën në burgje apo internime për lirinë e Shqipërisë dhe të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar fort e kontribuar në mënyra të ndryshme përgjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm të tranzicionit tonë demokratik, nga një diktaturë mizore në një demokraci funksionale – përfshi ata që na kanë shoqëruar në këtë rrugë sfiduese, mes të cilëve, OSBE-ja ka qenë një nga pranitë kyçe. Faleminderit shumë.
Meqë ra fjala, lejomëni t’ju rrëfej se më parë nuk e pëlqeja shumë OSBE-në. Kur partia ime ishte në pushtet, më duke mjaft e ashpër; ndërkohë që isha në krye të opozitës, më dukej mjaft e butë. Për t’i lënë shakatë mënjanë, një gjë është e qartë si kristali: nëse do të ktheja kokën pas dhe do të përpiqesha të përfytyroja rrugëtimin e Shqipërisë drejt ndryshimit pa OSBE-në, do të ishte thjesht e pamundur. OSBE-ja mund të mos jetë në gjendje të zgjidhë të gjitha problemet, por, pa OSBE-në, të gjithë ne këtu do të kishim më shumë probleme për të zgjidhur.
Sot ndiej gjithë përgjegjësinë e jashtëzakonshme, ashtu si edhe mundësinë e madhe për t’i kthyer diçka mbrapsht organizatës sonë, pasi OSBE-ja i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë për kaq e kaq vite.
Ndërkohë që Evropa është shenjuar nga konfliktet dhe bota është larg formës së saj më të mirë, puna jonë si një organizatë kaq unike e me përvojë, si dhe vullneti i mirë i të gjithë anëtarëve të saj, është edhe më e nevojshme. Për të qenë kuptimplotë e me rëndësi, paqja dhe demokracia nuk duhet të jenë thjesht fjalët e përbashkëta kyçe e horizonti që ndajmë, por objektivat e përbashkëta, si për organizatën, ashtu edhe për këtë Këshill të nderuar. Unë besoj se parimet bazë të Helsinkit – respektimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut – mbeten sot, ashtu si në atë kohë, një recetë e thjeshtë dhe efektive.
Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur ‘të zbatojmë angazhimet tona së bashku’ si moton e kryesisë shqiptare të OSBE-së. Kjo frazë përmban tri elemente kryesore:
E para, rëndësia për të respektuar detyrimet tona të përbashkëta. Ne nuk mund të ndërmarrim angazhime të reja në mënyrë të besueshme, nëse nuk përmbushim ato ekzistuese.
E dyta, të përqendrohemi në instrumentet e vlefshme që zotërojmë. E treta, që përgjegjësia jonë të bashkëndahet mes të 57-ëve. Siç e dini shumë mirë, që Kryesia të çojë përpara agjendën e përbashkët, është thelbësore të ketë një vizion e vullnet politik që të gjithë e ndajnë.
Për rrjedhojë, të gjitha përparësitë e Kryesisë shqiptare të OSBE-së mbështeten te vendosmëria jonë për ta nisur nga gjërat bazë dhe, po, për t’i bërë mirë ato.
Një: bërja e dallimit në terren.
OSBE-ja e ka provuar kohë pas kohe se mund të dislokohet në mjediset e konfliktit dhe paskonfliktit, shpesh, atëherë kur dhe aty ku askush nuk ka mundur. Ne duhet ta promovojmë punën e organizatës sonë sa më afër njerëzve tanë. Në një kohë kur kriza në Ukrainë e përreth saj është sfida më urgjente e sigurisë në Evropë, kontributi unik që ka dhënë Misioni i Posaçëm i Monitorimit për të zbutur tensionet e nxitur paqen, stabilitetin dhe sigurinë është thelbësor. Edhe pse ka pasur sinjale inkurajuese që i përgëzojmë, rruga drejt paqes së qëndrueshme, siç të gjithë e dimë, mbetet e gjatë. Kryesia shqiptare do të luajë rolin e saj në nxitjen e respektimit të parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së, si dhe për zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Minskut, duke mbështetur përpjekjet e Grupit Trepalësh të Kontaktit dhe procesit të Formatit të Normandisë. Po kështu, MPM-ja dhe Ukraina do jenë destinacioni i vizitës sime të parë në javët e ardhshme si Kryetar i Radhës i OSBE-së.
Përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve do të jenë në krye të agjendës sonë, veçanërisht ato të Bashkëkryetarëve të Grupit të Minskut të OSBE-së, Diskutimeve Ndërkombëtare të Gjenevës dhe mekanizmave përkatëse, si dhe Procesit të Zgjidhjes Transdniestriane. Pres me padurim të punoj në bashkërendim të ngushtë me Përfaqësuesit e mi të Posaçëm dhe Personalë dhe do të doja t’iu uroja mirëseardhjen atyre që po nisin detyrën, ambasadores Heidi Grau dhe ambasadorit Thomas Mayr-Harting.
Shqipëria e njeh në vetë të parë mbështetjen që Operacionet e OSBE-së në Terren mund të ofrojë. Ne duhet ta maksimizojmë potencialin e tyre e të zgjerojmë horizontin e tyre planifikues, për të siguruar harmonizim sa më të mirë me ciklet e politikave të qeverive pritëse. Gjatë muajve në vijim, ne do të rekrutojmë gjithashtu një numër të konsiderueshëm krerësh e zëvendëskrerësh të misioneve. Ndërkohë që shënojmë përvjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit, që frymëzon bashkëpunimin tonë të përgjithshëm me Kombet e Bashkuara, ju bëj thirrje juve e kryeqyteteve tuaja të na sjellin sa më shumë kandidate gra të kualifikuara. Le të udhëheqim përmes shembullit e të çojmë përpara rolin e grave në paqe dhe siguri.
Duke qenë drejtues i një qeverie që qëndron me krenari në pesëshen e parë në botë për barazi gjinore, nga përvoja mund t’ju siguroj të gjithëve, kryesisht burrave në këtë sallë, se, sa më shumë gra të angazhohen në punë reale, aq më shumë punë reale do të bëhet.
Dy, shfrytëzimi i acquis-ve tona.
Instrumentet e OSBE-së luajnë rol themelor për nxitjen e të drejtave e lirive themelore të njeriut. Institucionet tona autonome janë instrumente unike dhe të çmuara që i shtojnë vlerë jo vetëm OSBE-së, por edhe bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare. Duke parë nga e ardhmja, le t’i vëmë këto asete në përdorim të plotë.
Nxitja e lirisë së shprehjes dhe medias dhe lufta kundër dhunës ndaj grave janë përparësi të menjëhershme, urgjente. Çuarja përpara e mirëqeverisjes është një tjetër sfidë, që, jam i sigurt, e ndiejnë të gjithë kolegët e mi dhe pres me padurim ta trajtoj gjatë një konference të nivelit të lartë kundër korrupsionit në Tiranë.
Meqenëse po flasim për sfidat dhe kërcënimet, OSBE-ja ka krijuar një ekspertizë mbresëlënëse në raport me ato tradicionale dhe ne synojmë të vendosim si përparësi luftën kundër përhapjes së armëve të vogla dhe armatimeve të lehta, si dhe atë kundër krimit të organizuar. Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është një prej fushave ku OSBE-ja po bëhet një aktore globale dhe ne do ta maksimizojmë aksionin tonë lidhur me këtë. Po kështu, organizata jonë ka reaguar në mënyrë të shkëlqyer ndaj sfidave të rishta, si lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe siguria kibernetike, duke hartuar një grup të ri masash për ndërtimin e besimit.
Kjo më çon te numri tre i përparësive: Dialogu.
Ndaj shumicën e shqetësimeve të përmendura në analizën e fundit të paraardhësit tim dhe besoj se është tashmë koha të sinjalizojmë kundërpërgjigjen ndaj rritjes së pamohueshme të krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes në mbarë rajonin e OSBE-së. Nxitja e tolerancës dhe mosdiskriminimit do të jetë përparësi kyçe e kryesisë sonë dhe shpresoj se, së bashku, do të jemi në gjendje të formësojmë një përgjigje të depolitizuar ndaj kësaj dukurie alarmuese.
Një takim i rëndësishëm do të jetë konferenca e afërt mbi luftën kundër antisemitizmit në Tiranë. Do të ndajmë me ju historinë krenare të Shqipërisë për mbrojtjen (shpëtimin) e hebrenjve në vendin tonë të vogël, i cili qe i vetmi që numëroi më shumë hebrenj pas lufte sesa përpara saj, si dhe do të përkujtojmë së bashku 75-vjetorin e fundit të kampeve naziste të përqendrimit. Më lini të ndaj me ju bindjen se lufta kundër antisemitizmit sot nuk është thjesht përballje me veprën e antisemitizmit, por, po ashtu, përballje me qëndrimin e frikshëm relativizues kundrejt sjelljes antisemite. Si një shoqëri që jeton në vëllazëri fetare, siç e ka quajtur Papa Françesku, ne në Shqipëri e njohim vlerën e madhe që ajo ka dhe do të jemi të lumtur që, me atë rast, të ndajmë me ju këtë përvojë harmonie. Megjithatë, më duhet ta them këtu se ta marrësh atë për të mirëqenë, do të thotë ta rrezikosh.
Ne do të përpiqemi të shfrytëzojmë të gjitha instrumentet e OSBE-së për të thelluar kuptimin e ndërsjellë të sfidave të sotme të sigurisë, duke nisur nga Dialogu i Strukturuar dhe duke ulur rreziqet përmes masave tona për ndërtimin e besimit dhe të sigurisë. Dialogu do të jetë si për çështje politikash, për shembull, për mbrojtjen e mjedisit, ashtu edhe politik, me organizata simotra si Bashkimi Evropian dhe me shoqërinë civile.
Diplomacia parlamentare është thelbësore për të arritur te qytetarët tanë dhe ne presim me padurim të bashkëpunojmë ngushtë me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Së fundi, duke qenë se shumë prej sfidave e mundësive tona vijnë nga përtej rajonit të OSBE-së, ne duhet të forcojmë platformën tonë të dialogut me Partnerët Aziatikë e Mesdhetarë për Bashkëpunim dhe situata aktuale në brigjet jugore është një shembull sesa ngushtë është e ndërlidhur siguria jonë e përbashkët.
Dhe, meqë ra fjala, po flas në emër të një vendi që dje u etiketua si një vend i vogël djallëzor në mes të Evropës nga autoriteti më i lartë i regjimit totalitar të Teheranit.
Programi ynë, që është hartuar pas bisedimeve në kryeqytete dhe në Vjenë, do të mbetej vetëm në letër pa përbërësin më të rëndësishëm: ekipin e kryesisë shqiptare. Atje në Tiranë e këtu në Vjenë kemi diplomatë e profesionistë të përkushtuar – një ekip vërtet të talentuar e shumëkombësh, i ngritur edhe falë mbështetjes së shumë vendeve partnere, të cilat i falënderoj nga thellësia e zemrës. Nën drejtimin e ambasador Igli Hasanit, detyra e tyre e vështirë do të jetë krijimi i konsensusit duke punuar krah përkrah me personelin e shkëlqyer në sekretariat dhe institucionet autonome.
Tani më lejoni një fjalë të fundit për përparësitë tona të menjëhershme.
Negociata e parë që pritet është për miratimin e buxhetit të unifikuar. E di që shkakton ca dhimbje koke, por ne besojmë se propozimi aktual është realist dhe një bazë e mirë për konensus. Në këtë pikë, sipas protokollit më duhet t’ju bëj thirrje të angazhoheni në mënyrën më konstruktive të mundshme, por ky është një ritual që mbështetet në një supozim të gabuar. Të gjithë kemi njësoj pjesë në funksionimin e OSBE-së. Unë nuk e shoh miratimin e buxhetit – një hap thelbësor për çdo organizatë – si një “fitore” të kryesisë shqiptare. Në të kundërt, do të thoja se duhet të jetë dhe është detyrimi ynë i përbashkët kundrejt 2 800 anëtarëve të personelit të OSBE-së, të cilët u shërbejnë mbi një miliardë njerëzve. Kësisoj, besoj fort se, kur flasim për buxhetin, duhet të mendojmë për ta, për familjet e tyre, për nevojat e tyre që janë kaq të rëndësishme për nevojat e vetë organizatës dhe nuk duhet t’i lëmë në baltë.
Negociatat e dyta që na presin janë për sigurimin e drejtimit të strukturave ekzekutive të OSBE-së përtej 2020-ës. Gjatë muajve që vijnë do të nisim një proces konsultimi këtu në Vjenë. Ajo çfarë mund t’ju them tani është se do të jemi të hapur dhe transparentë dhe se jam i gëzuar që të gjithë personat në detyrë kanë konfirmuar disponueshmërinë për një mandat të dytë. Kjo është gjë e mirë.
Të nderuar shkëlqesi,
Qëllimi i nënkuptuar i veprimit shumëpalësh është që të ruhet një dialog i hapur midis bashkësisë së shteteve, edhe kur kjo është kundër të gjitha gjasave. Unë jam këtu për ta marrë këtë përgjegjësi me shumë përulësi dhe ne presim me padurim thjesht të bëjmë më të mirën, pa pretenduar se do të bëjmë përtej më së mirës.
Tashmë, pres të dëgjoj zërin tuaj e të nisim një dialog që do të zgjatë për plot një vit dhe, me shpresë, do të na çojë në fund të vitit në një vend më të mirë sesa ai ku jemi sot dhe nuk e kam fjalën për Vjenën, pasi ky është një vend i mrekullueshëm, por i referohem gjithçkaje që thashë deri tani.
*Fjala e kryeministrit me rastin e marrjes së drejtimit të OSBE-së nga Shqipëria