Nga Bledi Lumani/

Lulzim Basha ka bërë dy aksione të forta politike brenda këtyre dy viteve, që më së shumti nga kritikët e tij janë interpretuar si lëvizje të imponuara nga tjetërkush, kundër reformës në drejtësi. Herën e parë premtoi një “Republikë të re”, por u mjaftua me ca ministra e drejtorë, dhe me nja 12 milionë euro për pallatin që i prishën në Vlorë. Ndërsa këtë radhë nisi një “revolucion” anti-shtet, duke dalë nga sistemi, me shpresë se do ta rrëzonte këtë të fundit duke iu imponuar nga jashtë. Por, ndërsa herën e parë mundi të justifikohej para mbështetësve të tij për marrëveshjen me Ramën, me faktin se arriti t’i merrte gjysmën e qeverisë, edhe pse për një kohë të shkurtër, këtë radhë është ulur në tryezë në mënyrë të papritur, pa marrë asgjë.

Madje, as ‘kokën’ e Damian Gjiknurit, sa për t’u justifikuar se të paktën hoqi nga drejtimi i reformës zgjedhore, njeriun që kanë më shumë se një vit që e akuzojnë për blerje votash dhe që i çuan edhe dosjen madje, deri në Gjermani tek “BILD”. Ka nga ata, që këtë tërheqje të papritur të tij, e lidhin me një vendim të një dite më parë, qe e shpallte të pafajshëm Lulzim Bashën për lobimin me para ruse në SHBA (sipas tyre, Rama ka ndikuar që të mbyllej dosja, dhe Basha për pasojë u tërhoq nga rruga e revolucionit). Si logjikë ka sens, duke qenë se Basha nuk mori asnjë “trofe” politik për rikthimin në sistem, por kjo teori hyn në thashethemnajën politike të Tiranës dhe përderisa është thjesht një hamendësim, nuk mund të përdoret si argument.

Ata pak zëra publikë që, nuk e di e kanë seriozisht apo thjesht ashtu ua do puna, kur thonë se ulja e djeshme në tryezë e Bylykbashit dhe Vasilit me Gjiknurin ishte një fitore politike e Bashës, përmendin tri pika, që tregojnë se Basha bëri lëvizjen e duhur. Së pari, thonë se u deligjetimua Parlamenti dhe se reforma zgjedhore nuk votohet pa vulën e Vasilit-Bylykbashit, së dyti se reforma tani do bëhet me kushtet e opozitës, dhe së treti se kjo marrëveshje i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Në fakt, së pari Parlamenti nuk është delegjitimuar, pasi marrëveshja që do të arrihet për reformën zgjedhore, do të votohet pikërisht në Parlament.

Dhe meqë e kanë merak, se thonë i nxorrën jashtë loje me këtë lëvizje këta deputetët që i “tradhtuan”, janë pikërisht ata që do ta votojnë marrëveshjen dhe për më tepër, mos të harrojmë që Rudina Hajdarin e kanë në tryezë si bashkëkryetare, por dhe si një kujtesë e dështimit të revolucionit, pasi pas një viti, e vetmja fitore që arritën, është që të ulen në tryezë si të barabartë me Rudina Hajdarin. Së dyti, nuk mund të quhet fitore fakti që reforma zgjedhore do të bëhet me konsensusin e opozitës, pasi këtë gjë nuk ua ka mohuar kush dhe e kishin të garantuar që një vit më parë, pa pasur fare nevojë të dilnin nga sistemi. Së treti, nëse është e vërtetë që kjo marrëveshje i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme dhe për këtë arsye duhet parë si një fitore e Lulzim Bashës, a nuk është ky i fundit që prej më shumë se një viti, përbetohet se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk ka, ndërkohë që tani nxjerr Bylykbashin të thotë se PD do të hyjë në zgjedhje përballë Ramës!

Lind pyetja, çfarë ka ndryshuar që Lulzim Basha të hyjë në zgjedhje me Ramën kryeministër dhe me Damianin kryetar të reformës zgjedhore, që është gati për një tjetër “tërmet” me “çunat e tij problematikë”? Çfarë do t’iu thotë tani mbështetësve të vet, që i ka bombarduar me idenë e revolucionit dhe rrëzimit të Ramës jo me zgjedhje, por me rrugën e forcës, se mirë herën e parë e gjeti një arsye justifikuese, pasi hyri në Qeveri? Do pranojë që dështoi me revolucionin dhe daljen jashtë sistemit, dhe do iu kërkojë falje militantëve të opozitës? Me siguri që jo, por të paktën mirë është që të porosisë njerëzit e tij të mos iu bien “daulleve të fitores”. Se më shumë se “daulle fitoreje”, ato ngjajnë me klithma mortore.