Dështimi ndër vite i Kosovës për t’u anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare e ka përcjellë edhe në vitin 2019.
Institucionet kosovare në momentet e fundit nuk patën guxim të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Interpolit. Krahas saj nuk aplikuan fare në UNESCO e Këshill të Evropës. Fajtorët për këtë konsiderohen lobimi diplomatik i dobët. Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli zgjedhë të heshtë.
Profesori universitar, Afrim Hoti thotë për KosovaPress, se institucionet në Kosovë çdo vit po i përsëritin gabimet e veta, duke dështuar për t’u anëtarësuar aty ku është dera e hapur.
Për Hotin, mosaplikimi për anëtarësim në Interpol, paraqet shembullin tipik të dështimit të diplomacisë kosovare.
“Në këtë drejtim mendoj që Kosova nuk po bënë asgjë tjetër përveç që po i përsërit gabimet e veta. Në kuptimin e tërheqjes për të aplikuar për anëtarësim aty ku e kemi derën e hapur, ku procedurialisht dhe formalisht është e mundur. Në këtë drejtim mendoj që Interpoli paraqet shembullin tipik të dështimit të diplomacisë sonë. Për faktin se nën një Interpol është organizatë e karakterit teknik.
Pra që bënë bashkë organet e sigurisë të secilit shtet dhe këtu mund të heqim aspektin politik. Kemi mundur të përdorim argumentin shumë të qëndrueshme se Kosova synon të jetë pjesë e Interpolit se ka për objektiv luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit. E dyta që mund të përdornim është se ne kemi të paktën në letër votat e nevojshme për të qenë pjesë e Interpolit nëse llogarisim në shtetet që e kanë njohur Kosovën”, thotë ai.
Këtë dështim të Kosovës për t’u anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare, Arton Demhasaj nga “Çohu”, e ndërlidhë me mosarritjen e një marrëveshje finale me Serbinë. Derisa ka fjalë pozitive mbi mosaplikimin e sivjetme në Interpol.
“Kjo ka ndikim edhe tek mos guximi për me marrë iniciativa për t’u anëtarësuar në struktura të tilla siç është Interpoli, apo Këshilli i Evropës. Kur kemi pra një proces të dështuar për anëtarësim në UNESCO njëherë, pastaj në Interpol tash e shohim se është rritë gama e shteteve që e kanë vënë në diskutim çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Nëse në një moment të tillë ki tendenca për me u anëtarësu në Interpol ki me dështu. Një dështim i tillë i Kosovës në një proces të tillë do të ishte shumë më negativ se sa mos me provu hiç”, thotë Demhasaj.
E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi thotë për KosovaPress, se mo finalizimi i dialogut me Serbinë, po ndikon që Kosova të humbet dhe mos të anëtarësohet në organizata multilaterale.
“Pasojat e para evidente kanë qenë me UNESCO jo vetëm tani, siç e dini edhe para tre vjetësh nuk kemi arritur të jemi pjesë e UNESCO. Edhe me Interpolin dhe të gjitha organizatat tjera. Me një fjalë sipas agjendës ndërkombëtare Kosova dhe Serbia duhet të përmbyllin këtë proces të konfliktit në mënyrë që Kosova të zhbllokohet sa i përket ndërkombëtarizimit. E ndërkombëtarizimi do të thotë eliminim i pengesave për t’u anëtarësuar në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Duke përfshirë momentin më të rëndësishëm në këtë kuadër anëtarësimin në OKB”, thotë ai.
KosovaPress ka pritur rreth dy javë për një prononcim të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme për t’u deklaruar mbi këtë çështje, por ata nuk kanë pasur vullnet për një gjë të tillë.
Zyrtarët institucional në Kosovë vazhdimisht kanë premtuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por deri më tani secili pushtet ka dështuar të arrijë një gjë të tillë.