Ditët e ftohta e me dëborë të 2020-ës, nuk kanë penguar një grup të rinjsh nga Berati të ngjitjen në lartësitë e malit të Tomorit.

Ditët me diell kanë inkurajuar të rinjtë të organizohen dhe nën drejtimin e mjeshtrave alpinistë të qytetit, janë nisur në një aventurë argëtuese drejt lartësive.

Administrata e Zonave të Mbrojtura të Beratit bën të ditur se “Tomori tashmë ka turistë në çdo stinë të vitit. Të rinjtë beratas u ngjitën ditët e para të janarit të këtij viti në majën jugore të malit të Tomorit”.

“Maja jugore, ose maja ku ndodhet varri i Abaz Aliut është maja që mund të arrihet nga alpinistë të çdo kategorie, pasi aty shkalla e vështirësisë është më e pranueshme edhe për amatorët”, shprehet ADZM Berat.

Në fund të dhjetorit 2019, kur dëbora e parë mbuloi malin e Tomorit megjithëse mot me temperatura të ftohta, alpinistët dhe motoristët nuk munguan. Të rinjtë e apasionuar pas alpinizmit kanë ngjitur lartësitë plot dëborë, ndërsa motoristët përshkuan aksin Gjerbës – Teqeja e Abas Aliut.

Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurierë të raftingut në kanionet e Osumit.

Nën këmbët e Tomorit, rrjedh lumi Osum që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij, tepër të vizituara sidomos gjatë stinës së verës.

Por, jo vetëm kanionet, në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës.