Duke nisur nga 1 janari 2020, një pjesë e shërbimeve publike do të bëhen online, ndërsa deri në fund të vitit 2020 pritet eleminimi i plotë i burokracive në sportele.
Procesi i dhënies së shërbimeve publike përmes platformës qeveritare e-Albania parashikohet të bëhet gradualisht, në periudha të caktuara përgjatë vitit.
Në Fletoren Zyrtare është publikuar lista e 50 shërbimeve që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ofrojë vetëm elektronikisht përgjatë këtij viti.
Të gjitha dokumentet administrative që shërbejnë si dokumentacion shoqërues për marrjen e shërbimeve elektronike në portalin e-Albania, duke nisur nga data 1.1.2020 do të ofrohen dhe shkëmbehen vetëm elektronikisht, përmes Sistemit të Qarkullimit të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se “ne synojmë që deri në fund të vitit 2020, të kalojmë online 91% të shërbimeve të ofruara nëpër sportele”.
Qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dosje me dokumente shtetërorë, po vetëm dokumente që janë individualë dhe të gjithë dokumentet shtetërorë të nevojshëm për dosjen do të sigurohen nga vetë administrata.
Përmes këtij revolucioni digjital, qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel për të marrë shërbimin në afatin e përcaktuar ligjor.