Nga 151 dokumente që i kërkoheshin qytetarit deri tani pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, sot janë thjeshtuar 101 prej tyre. Këto dokumente do t’i marrin vetë punonjësit e ASHK-së për qytetarin.
Kryeministri Edi Rama u ndal sot në zyrat e ADISA-s, të cilat po asistojnë qytetarët për 472 shërbimet e reja online, përveçse për mbi 150 shërbime qendrore dhe vendore që kanë ofruar më parë.
Pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës sot mund të aplikosh për 52 shërbime online. Ka mbetur vetëm një shërbim, i cili është në proces, ai i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme.
Edhe pagesa nga ana e qytetarit tashmë mund të kryhet jo vetëm përmes bankës, por dhe online gjatë aplikimit, me kartë debiti apo krediti.
Kryeministri Edi Rama duke e konsideruar revolucion ofrimin e shërbimeve online theksoi se tashmë nuk do të ketë mundësi as për sekser dhe as për zvarritje të qytetarëve.
“Faza finale që e bën të gjithë shtetin në xhepin e qytetarit është kthimi i të gjitha shërbimeve online, të mund të marrësh edhe hipotekën online”, – u shpreh Kryeministri.
Zyrat e pritjes, theksoi Rama më tej, nuk do të shërbejnë më për të të pritur qytetarin, por për të pritur aplikimet e tyre online.
“Kjo zyrë nuk do të jetë më zyrë pritjeje, por një zyrë që do të punojë me kompjuterin për të pritur kërkesat që njerëzit do të nisin nga shtëpitë e tyre. Është komplet revolucion”, theksoi ai.
Për sa i përket moshave të caktuara që nuk do munden të kryejnë vet aplikimin online, Kryeministri theksoi se edhe ato do të gjejnë mënyrën për të aplikuar, sepse do të jetë më e lehtë për ta për të marrë shërbimin, se sa të vijnë vet fizikisht. Ata, shtoi Rama, mund të asistohen nga të afërm të tyre .
Për shërbimet të cilat aplikimi kryhet online, por nevojitet që përgjigja të merret fizikisht, Rama tha se përgjigja do të kthehet përmes postës.
“Qytetari do të mund të ndjekë online statusin e aplikimit të tij dhe do të informohet po online qe përgjigjja është gati dhe se mund ta tërheqë online”, deklaroi Kryeministri.