Mesi i muajit janar shënoi një kthesë të rëndësishme në politikën shqiptare, pasi mazhoranca, opozita brenda parlamentit dhe opozita jashtë saj vendosën të ulen në një tryezë për Reformën Zgjedhore. Në një rikthim prapa në kohë, në më shumë se 6 vite si kryetar i opozitës, shpeshherë ultimatumet e Lulzim Bashës nuk prodhuan rezultatet e premtuara prej tij, ku synimet kryesore ishin qeveria teknike, zgjedhjet e parakohshme, apo rrëzimi i qeverisë nën sloganin “Rama ik”.
Ultimatumet e Bashës
Një vit më parë opozita e bashkuar vendosi djegien e mandateve parlamentare duke vazhduar misionin e saj jashtë institucioneve. E drejtuar nga Lulzim Basha, opozita kërkoi zgjedhje të parakohshme pa Edi Ramën kryeministër si kushtin për t’u kthyer në parlament. Më datë 27 qershor të vitit 2019 zoti Basha tha në emër të opozitës së bashkuar: “Nuk merr pjesë në asnjë diskutim për zgjidhje politike apo për reforma të çfarëdo formule pa dalë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin. Ne nuk bëjmë marrëveshje me Edi Ramën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht. Ne as nuk diskutojmë më me Edi Ramën në asnjë rrethanë“.
Fundin e këtij ultimatumi e shënoi vetë zoti Basha nëpërmjet një publikimi në Facebook pas uljes në tryezë në mesin e këtij muaji me përfaqësuesit e nga mazhorancës. Ndër të tjera, ai qartësoi se vendimet do të merren me konsensus mes opozitës së bashkuar dhe parlamentit. Kjo nuk është hera e parë që kryetari i opozitës ka vendosur ultimatume, dhe është tërhequr më pas prej tyre. Shpeshherë të etiketuara si “vija e kuqe”, ultimatumet e zotit Basha përgjatë më shumë se 6 viteve si kryetari i Partisë Demokratike kanë qenë të shumta. Ato morën kohë, energji, por çfarë rezultati prodhuan? “Faktoje” përzgjodhi disa prej ultimatumeve më sfiduese.
1.Parku te Liqeni Artificial i Tiranës
Në muajt e parë të vitit 2016, Lulzim Basha dhe opozita u rreshtuan kundër ndërtimit të parkut të lojërave te Liqeni Artificial i Tiranës. Më 31 mars 2016, kreu i PD paralajmëroi që nëse situata nuk do ndryshonte, beteja e opozitës do të ridimensionohej dhe do të shtrihej në dimensionin publik. Ndryshimi nuk erdhi dhe parku i lojërave në Liqenin Artificial u përurua nga kryetari i Bashkise Erion Veliaj më 1 qershor 2016.
2.Emërimi i Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm
Beteja e opozitës në vitin 2017 u zhvendos nga parlamenti në “Çadrën e Lirisë”, ku qëndroi për 3 muaj. Ndër denoncimet e shumta, zoti Basha u shpreh edhe kundër emërimit të Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, i cili u përzgjodh nga kryeministri Rama për të zëvendësuar ish-ministrin Saimir Tahiri. Më 17 mars 2017, kryeopozitari bëri këtë deklaratë: “Fatmir Xhafaj e kalon pragun e ministrisë së Brendshme vetëm mbi trupat tanë”. Fatmir Xhafaj mori detyrën pa kaluar mbi trupin e ndokujt, ndërsa Basha në një intervistë për “Opinion”, më 7 prill 2017 tha:
“Çuarja atje e Fatmir Xhafës është vetë diskreditimi më i madh që Rama mund t’i bënte vetes para shqiptarëve.”
3.Marrëveshja e 18-majit
Qëllimi kryesor i “Çadrës së Lirisë” u përsërit thuajse çdo ditë të qëndrimit të opozitës brenda saj, për 3 muaj me radhë: zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën kryeministër, synim që kryetari i PD e theksoi edhe në Uashington, në një intervistë për VOA më 24 mars 2017: “Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë”. Ky qëndrim vijoi deri më 18 maj 2017, kur dy rivalët politikë arritën marrëveshjen “e pamundur”. Zgjedhjet u zhvilluan me zotin Rama kryeministër.
4.Emërimi i Arta Markut si prokurore e Përgjithshme e Përkohshme
Në fund të vitit 2017, një nga çështjet kryesore ku u përplas opozita me mazhorancën ishte zgjedhja e kryeprokurorit të përgjithshëm që do të zëvendësonte Adriatik Llallën. Në një deklaratë për shtyp më 23 nëntor 2017, zoti Basha tha: “Kryeprokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama”. Kjo ishte deklarata e parë që zoti Basha bëri mbi këtë çështje, kur nuk kishte dalë ende emri i zonjës Arta Marku. Pavarësisht këtij paralajmërimi dhe reagimit të opozitës duke rrethuar podiumin, nuk e penguan dot emërimin e zonjës Marku, e cila u betua mes tymuesve.
5.Projekti i Unazës së Re
Një tjetër sfidë e opozitës ishte shembja e shtëpive tek zona e “Astirit”, si pjesë e projektit të Unazës së Re të Tiranës. Në një deklaratë për mediat, më 24 nëntor 2018, kryetari i PD tha: “Asnjë centimetër nuk do të përparosh. Kjo është vija e kuqe për ty, kjo është vija e kuqe për të gjithë shqiptarët”. Më 12 nëntor të vitit 2019, 33 objekte u shembën tek “Astiri”, si pjesë e planit të qeverisë për t’i hapur rrugë projektit të unazës së Re.
6.Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019
Një ndër betejat politike të opozitës ishte ajo kundër zgjedhjeve të 30 qershorit. Pas djegies së mandateve në parlament në shkurt të vitit të kaluar, ajo refuzoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit me zotin Rama kryeministër. Në një deklaratë për “Opinion” më 20 qershor 2019 zoti Basha tha: “Në 30 Qershor nuk ka zgjedhje! Procesi farsë nuk do të njihet nga askush.” Zgjedhjet u zhvilluan më 30 qershor, pavarësisht kaosit juridik të krijuar nga dy dekrete të presidentit Ilir Meta, për caktimin e më pas anullimin e kësaj date.
Në kundërshtim me ultimatumin e kryeopozitarit, zgjedhjet u zhvilluan, zgjedhjet u njohën nga organizmat ndërkombëtare dhe sot opozita është e ulur në tryezë me mazhorancën për Reformën Zgjedhore. Në këtë mënyrë, zoti Basha është kthyer në pikën ku e nisi, në tryezën ku zoti Rama është kryeministër.(Faktoje.al)